Një grup i madh qytetarësh, prindër dhe të rinj, mblodhën për të protestuar sot paradite përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, duke mbajtur një pankartë të madhe ku shkruhej: “Institucionet e papërgjegjshme vrasin.” Protestuesit, duke kërkuar përgjegjësi për ngjarje tragjike si vrasja e 14-vjeçarit Martin Canit, thirrën për dorëheqjen e Ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu, me sloganet “Ik!” dhe “Doreheqje!”
Protesta u organizua pas ngjarjes tragjike të 18 nëntorit, kur Martin Cani, një nxënës 14-vjeçar, u qëllua për vdekje me thikë pak metra larg shkollës “Fan Noli.” Autori i krimit, gjithashtu 14 vjeçar, u arrestua nga policia. Protestuesit kërkuan që autoritetet dhe institucionet përgjegjëse, përfshirë sigurinë shkollore, mësuesit dhe drejtorinë, të mbajnë përgjegjësi për mosveprim dhe dështimet që mund të kenë çuar në këtë tragjedi.
Pjesëmarrësit mbajtën pankarta të tjera me mesazhe si “Dhimbja e një nëne është thirrja jonë për ndryshim,” “Fëmijët duhet të jetojnë, jo të vriten,” dhe “Në një shkollë që duhej ta mbronte, një fëmijë humbi jetën”.
Një mësuese e pranishme në protestë shprehu shqetësimin se nuk kishte ndihmë të mjaftueshme nga autoritetet dhe kërkoi që të merren masa për të parandaluar ngjarje të tilla, përfshirë raportimin e çdo konflikti në shkolla tek prindërit.