Pas një seancë që zgjati për mbi 3 orë gjykata e posaçme ka pranuar kërkesën e prokurorëve Vladimir Mara dhe Altin Dumani për të mos ndryshuar masat për 20 të dyshuarit si pjesë e organizatës kriminale drejtuar nga Suel Çela, ndërsa bëri ndryshim vetëm për një avokate.
Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat e sigurisë arrest në burg për 14 anëtarët e grupit kriminal që drejtohej nga Suel Çela. Masa ndryshoi për avokaten Blerina Beqirin, nga arret shtëpie në detyrim paraqitje. Ndërkohë masa detyrim paraqitje mbetet në fuqi edhe për gazetarët Elton Qyno dhe Artan Hoxha.
Në burg do vijojnë të qëndrojë:
Mario Çela (arrestuar në Itali, i arrestuar më parë për vepër tjetër penale)
Xhino Roka
Klaus Matishi
Sergei Hasanpapaj (arrestuar në Belgjikë)
Bruno Azizolli
Ledio Zabeli
Marsel Roka
Ado Xhika
Metin Mehja
Renato Hasani
Pajtime Fetahu
Dedan Gjoni
Bujar Shega (arrestuar në Itali)
Hajdar Lala
Vijojnë në kërkim me masë sigurie arrest në burg
Suel Çela
Prekë Kodra
Fuad Verzivolli
Skënder Sufaj
VENDIMI GJKKO
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E POSAÇME E SHKALLËS SË PARË PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 26.11.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal e caktuar me vendimin Nr. 138, datë 22.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personave nën hetim Xhino Roka, Klaus Matishi (alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja), Marsel Roka, Skender Sufaj, Artan Hoxha, Elton Qyno, Pajtime Fetah, Dedan Gjoni, Blerina Beqiri”. 2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 228, 229, 230, 234, 237, 238 dhe 248 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 146, datë 27.11.2024, vendosi: 1. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale e caktuar me vendimin Nr. 138, datë 22.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj personave nën hetim: Dedan Gjoni, Pajtime Fetah, Skënder Sufaj, Klaus Matishi (alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja), Xhino Roka dhe Marsel Roka si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të pasqyruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi. 2. Urdhërohet Policia Gjyqësore, që personat nën hetim Dedan Gjoni, Pajtime Fetah, Skënder Sufaj, Klaus Matishi (alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja), Xhino Roka dhe Marsel Roka, të dërgohen menjeherë në institucionin e paraburgimit, për të qëndruar aty në dispozicion të organit procedues. 3. Zëvëndësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale e caktuar ndaj personit nën hetim Blerina Beqiri me vendimin Nr. 138, datë 22.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 319 – 25 i K.Penal, me masën e sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale. 4. Personi nën hetim Blerina Beqiri detyrohet të paraqitet ne Zyrat e Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të hënën e parë të çdo muaji në orën 11:00. 5. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore” e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale e caktuar me vendimin Nr. 138, datë 22.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj personave nën hetim: Artan Hoxha dhe Elton Qyno si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të pasqyruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi. 6. Personi nën hetim Artan Hoxha detyrohet të paraqitet në Zyrat e Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të hënën e parë të çdo muaji në orën 13.00. 7. Personi nën hetim Elton Qyno detyrohet të paraqitet në Zyrat e Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të martën e parë të çdo muaji në orën 13.00. 8. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe policia gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi. 9. Mbrojtësit e caktuar kryesisht nga gjykata për personat nën hetim të shpërblehen nga shteti sipas tarifave të parashikuara në ligj. 10. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brënda 5 ditëve, nga njoftimi i vendimit të gjykatës.
Tiranë, më datë 27.11.2024
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar