Teksa i afrohemi ngadalë festave të fundvitit, gjithnjë e më shumë hotele, kryesisht ato të vendosura në zonat e ftohta të vendit, po rrisin çmimet për shkak të kërkesës së lartë nga turistët.
Zakonisht, këto periudha janë të pasura me vizitorë të cilët duan të kalojnë pushimet e fundvitit në destinacione të veçanta, dhe kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet e akomodimit.
Sipas të dhënave nga platforma “Booking”, qyteti i Korçës, i cili është një nga destinacionet më të kërkuara për t’u vizituar gjatë festave të fundvitit, ka regjistruar një rritje të çmimeve prej rreth 33%.
Për shembull, një turist që dëshiron të qëndrojë në një nga hotelet e këtij qyteti, mund të paguajë një shumë që varion nga hotelet më të lira deri në ato më të shtrenjta, ku çmimi mund të arrijë deri në 8000 lekë për një natë.
Ndërkohë, në dy ditët e fundit të muajit, hotelet zakonisht rrisin çmimet për shkak të fluksit të madh të vizitorëve që priten gjatë natës së Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve.
Kjo periudhë ka një kërkesë të lartë për akomodim, prandaj çmimet për një natë qëndrimi variojnë nga 3500 lekë në hotelet më të lira, deri në 12000 lekë për hotelet më luksoze./ Scan