Karburanti është një produkt nga i cili qytetarët shqiptarë nuk kufizohen, pasi të dhënat e doganave tregojnë një rritje të importeve dhe konsumit nga viti në vit. Në 10 mujor, rezulton që të jenë importuar afro 548 mijë ton karburant, duke arritur nivelin rekord të 5 viteve të fundit. Po ashtu, vetëm në muajin tetor janë importuar mbi 53 mijë ton karburante, shifër shumë më e lartë krahasuar me Tetorin e viteve të kaluara.
Kjo perfomancë vjen si rrjedhojë e rritjes së fluksit të turistëve në vendin tonë, kryesisht në dy vitet e fundit, ku një pjesë e mirë prej tyre vijnë me automjete personale dhe një pjesë marrin automjete me qira për të vizituar sa më shumë vende. Nga ana tjetër vihet re dhe një tendencë në rritje e qytetarëve shqiptarë që lëvizin gjatë sezonit të verës apo fundjavave, ritëm që ka vijuar edhe gjatë muajve të vjeshtës, duke shfrytëzuar motin e mirë që ofron vendi.
Nga ana tjetër, edhe importi i birrës në 10 mujor ka arritur rekordin e 5 viteve të fundit, ku janë importuar afro 51 mijë ton. Rritja e importit të këtij produkti vjen edhe për shkak të sezonit të mbarë turistik, por edhe për faktin se unifikimi i akcizës për prodhimin vendas, ka sjellë disavantazh për fabrikat që operojnë në Shqipëri dhe ka krijuar më shumë terren për importuesit
Ndërsa e kundërta ka ndodhur me dy produktet e tjera të akcizës, cigaren dhe duhanin.
Importi i cigares ka një rënie në 10-mujor në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke u regjistruar një sasi prej 2570 ton të importuara përgjatë Janar-Tetor. si dhe rënie përgjatë muajt Tetor.
Po ashtu edhe importi i kafes është regjistruar në rënie prej 394 ton në raport me një vit më parë, ku përgjatë periudhës Janar-Tetor 2024 janë importuar 6994 ton. Edhe gjatë muajit Tetor, sasia e kafesë së blerë nga jashtë ka pësuar rënie, çka tregon edhe tendencën e konsumit të këtij produkti.
Të ardhurat nga akciza në 10 mujor janë realizuar në masën 52.5 miliardë lekë, 4.4 miliardë lekë ose 9.3% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023./ Scan