Ivan Gvozdenoviç ka shkuar direkt tek një skuadër tjetër, kjo pasi u largua nga ekipi i Skënderbeut.
Tekniku serb, i cili drejtoi korçarët për dy vite, tashmë është trajneri i ri i AF Elbasanit.
Trajneri deklaroi se e njeh mirë skuadrën korçare, ndërsa është në prag të ndeshjes me Vllazninë.
“E njoh shumë mirë. Dy-tre herë jemi ndeshur në miqësore, pastaj dhe në kampionat. Në ndeshjen e parë 1 me 1 në Korçë, këtu 0-0. E njoh skuadrën, është e mirë dhe ka cilësi. Elbasani është në vendin e pestë, ka 21 pikë. Nuk mund të them është situatë e keqe, është normal, por patjetër do provojmë të bëjmë pak më mirë, kemi tri javë. Tri ndeshje jashtë, do punojmë, do bëjmë maksimumin.
Elbasani është klub i mirë, i madh, me tifozë dhe tradita, me emër. E di që kanë dëshirë të kapin “Final Four”, është e drejtë. Jam këtu vetëm një ditë, nuk mund të them e sigurt që do kapim “Final Four”. Nuk është e pranueshme, nuk është normale. Do bëjmë maksimumin, do luftojmë për objektivin e klubit, e kapim apo jo objektivin do flasim në maj kur të mbarojë kampionati. Kam besim te skuadra, jam shumë pozitivë, por do flasim javë për javë bashkë dhe do shohim si do dalim”, u shpreh Gvozdenoviç.