Rritja e pagave në administratën publike i ka kthyer një pjesë të parave në buxhet, për shkak të tatimit më të lartë që kanë paguar punonjësit.
Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, tatimi mbi të ardhurat personale përgjatë periudhës Janar-Tetor 2024 është arkëtuar në vlerën 54.9 miliardë lekëve me një kapërcim prej 6.5 miliardë lekësh apo 65 milionë euro më shumë se 10-mujori 2023.
E shprehur në përqindje të ardhurat rezultojnë 13.5% më të larta, duke kapërcyer edhe planifikimin e bërë për këtë periudhë.
Kjo shifër është në nivele historike të dekadës, ku rritja ka qenë progresive nga viti në vit. Nëse do ta krahasojmë me vitin 2014, ku për këtë periudhë u mblodhën 22.6 miliardë lekë, rezulton më shumë se dyfishim i të ardhurave nga këto taksa.
Ndërsa vetëm në muajin tetor janë mbledhur 5 miliardë lekë, apo 500 milionë më shumë se tetori 2023 gjithashtu edhe shifra më e lartë e arkëtuar ndër vite për këtë muaj.
Por efekt nuk ka dhënë vetëm rritja në administratën shtetërore, por edhe presion pozitiv i ushtruar në sektorin privat.
Nga ana tjetër ndikim ka pasur fushata antiinformalitet e ndërmarrë nga qeveria lidhur me nëndeklarimin e pagave, duke bërë që gjatë muajit tetor, mbi 9 mijë biznese të reagonin duke deklaruar me rritje pagat e punonjësve të tyre.
Në zërin e tatimit mbi të ardhurat personale kontributin më të lartë e jep tatimi mbi pagat e punonjësve në sektorin privat dhe publik, e ndjekur nga tatimi i paguar nga shitja e pasurive të paluajtshme i cili është në nivelin 15 për qind si dhe tatimi mbi qiratë.
Po ashtu një hapësire të konsiderueshme zë tatimi mbi të ardhurat nga dividendët dhe si dhe tatimi mbi të ardhurat nga interesat.
Tatimi mbi të ardhurat personale është zëri më i dytë me më ndikim në buxhetin vjetor të shtetit, pas TVSH-së dhe përbën afro 26.7% të totalit të të ardhurave tatimore./ Scan