Kampioni i peshave të rënda, Nelson Hysa, ka shënuar një tjetër sukses historik, duke u bërë sportisti i parë nga Ballkani që ftohet të marrë pjesë në finalet e spektaklit prestigjioz të “Riyadh Season”. Promotori i famshëm botëror, Frank Warren, dhe promocioni që ai drejton kanë njohur vlerat e kampionit shqiptar dhe e kanë përfshirë atë në këtë aktivitet madhështor.
Ftesa vjen si rezultat i sukseseve të tij të njëpasnjëshme në boksin profesionist dhe, veçanërisht, pas triumfit të tij të fundit në Londër, ku Hysa nokautoi kampionin argjentinas. Ky moment kulmor i karrierës i dha atij mundësinë për të firmosur një kontratë të rëndësishme dhe për të qenë pjesë e “Show”-t dhe promocionit të “Riyadh Season”.
Ndërkohë, Hysa pritet të zhvillojë edhe një ndeshje për të mbrojtur titullin e kampionit të Europës. Ai do të ngjitet në ring më 8 shkurt në “CO OP Arena” të Manchester-it, një arenë legjendare në botën e sportit.
Kjo ndeshje e veçantë do të jetë e 20-ta në karrierën e tij profesionale, me një rekord mbresëlënës prej 19 fitoresh dhe asnjë humbje. Nelson Hysa, një emër i madh i sportit shqiptar, vijon të shkruajë historinë në boksin ndërkombëtar.