Ekonomiksi pas bumit të Rinasit
Në vitin 2019, Aeroporti i Rinasit përpunoi 3.3 milionë pasagjerë gjithsej. Në mbyllje të vitit fiskal, kompania koncesionare, asokohe e zotëruar nga kinezët, raportoi 25 milionë euro fitim. Pra 7.6 euro fitim për çdo pasagjer që kishte udhëtuar përmes aeroportit.
Vitin e kaluar, Rinasi përpunoi 7.3 milionë pasagjerë. Për të njëjtin vit kompania koncesionare, tashmë e zotëruar nga Kastrati, raportoi 30 milionë euro fitime. Mesatarisht sot aeroporti fiton 4.1 euro për pasagjer. Pra 44 për qind më pak.
Ky është ligji klasik i kërkesë-ofertës.
Nga ulja e çmimeve abuzive përfitojnë të gjithë. Qytetarët paguajnë shumë më pak. Koncesionari mban të njëjtin fitim edhe më shumë madje për shkak të rritjes së kërkesës që sjellin çmimet e ulëta. Qeveria merr më shumë të ardhura nga taksat dhe dividenti koncesionar për të njëjtën arsye. Dhe ndërkohë, Aeroporti ka tre herë më shumë linja direkte, përmes tij udhëtojnë 2.5 herë më shumë pasagjerë dhe janë të punësuar 2 herë më shumë punonjës.
Për gati 20 vjet Aeroporti i Rinasit ishte manaxhuar si një monopol klasik. Në monopol, kompanitë nuk duan ta dinë për mirëqënien e përgjithshme të shoqërisë, por shkojnë vendosin çmimin më të lartë të mundshëm, aty ku ato mendojnë se maksimizojnë fitimin e tyre. Kjo ka ndodhur me koncesionarët e huaj në Rinas, nga gjermanët deri tek kinezët.
Dhe monopoli nuk është i keq vetëm tek çmimet, por edhe tek shërbimi që ofron. Sepse monopolisti nuk shpenzon për të investuar. Krahasoni pak aeroportin sot me aeroportin e para 5 viteve.
Megjithatë, tarifat aeroportuale janë vetëm një pjesë e shpjegimit për bumin e Rinasit. Pjesa tjetër janë thyerja e oligopolit të fluturimeve. Për dy dekada ky oligopol i mbante çmimet e biletave, ndër më të shtrenjtat në Europë dhe fluturimi për shqiptarët ishte luks.
Sot, aeroporti i Rinasit është ai që ka çmimet më të ulëta në rajon. Dhe konfirmimi më i mirë është tek gjeografia. Deri dje shqiptarët shkonin në Mal të Zi, Shkup apo Athinë për të fluturuar. Tani fluksi i pasagjerëve rrjedh në kahun e kundërt. Sot malazezët dhe maqedonasit që dynden me turma për të fluturuar në Rinas.
Sa është kursimi publik nga thyerja e oligopolit të fluturimeve, që ka ulur çmimet e biletave. Për këtë mjafton një llogari e thjeshtë. Në 10 milionë pasagjerë që ka mbërritur shifra tani, vetëm 20 euro ulje në çmimin e biletave janë 200 milionë euro kursim publik.
Biletat e shtrenjta kanë qenë një nga arsyet kryesore që penalizonin turizmin në Shqipëri. Sa fitojnë bizneset vendase sot nga turizmi që nxit aeroporti?
Tani pyetja është, a janë investitorët e huaj gjithmonë djemtë e mirë dhe bizneset e mëdha vendase, djalli? Aeroporti e ka një përgjigje. Ah po, erdhi koha, erdhi koha. Por kohen ne kete rast e beri nje “djall” vendas, jo nje “engjell” i huaj. Te huajt sa ishin, vetem zhvaten.
Nga Klodian Tomorri