Ndonëse filozofia e kryeministrit ishte që rritja e pagave në shtet do të tërhiqte edhe sektorin privat, kjo nuk ka ndodhur.
Administrata shtetërore i është gëzuar një rritjeje të ndjeshme të pagave në tremujorin e tretë të këtij viti, si në raport me tremujorin e mëparshëm, ashtu edhe me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
E kundërta ka ndodhur me ata që punojnë në sektorin privat, të cilët në verë kanë marrë më pak se tremujorin e mëparshëm, ndërsa edhe në krahasim me verën e një viti më parë, rritja ka qenë e lehtë.
INSTAT raportoi se paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të tretë 2024, është 77.669 lekë, duke u rritur me 8.6%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Paga mesatare mujore për një të punësuar me pagë në sektorin shtetëror arriti rekordin e 96.8 mijë lekëve, me një rritje prej gati 15% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në vlerë, të punësuarit në shtet marrin 12.5 mijë lekë më shumë në muaj. Edhe në krahasim me tremujorin e mëparshëm, paga është rritur me gati 11 mijë lekë. Në korrik hyri në fuqi rritja e pagave për mjekët, mësuesit dhe punonjësit e ushtrisë. Në të kundërt, në sektorin privat, rritja e pagave me bazë vjetore ka qenë shumë e ulët.
Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare mujore për një të punësuar me pagë në sektorin privat ishte 69 mijë lekë në tremujorin e tretë./ Monitor