Dhoma e Avokatisë i ka hequr për një periudhë kohore prej 3 muajsh licensën avokatit Idajet Beqiri, kjo pasi klientët e kanë akuzuar për mashtrim.
Weblajm.com ka sigurar dokumentin ku një qytetar i është drejtuar Komitetit Disiplinor të DHASH, lidhur me një rast konktet të ndodhur.
E gjitha kishte nisur pasi qytetari Ferdi Kastrati i kishte kërkuar ta përfaqësonte në një çështje për pezullimin e shembjes së një ndërtimi pa leje.
Avokati Beqiri ka marrë përsipër çështjen kundrejt shumës 200.000 lekë, të cilat qytetari deklaron se ia ka paguar cash, por pa dokument financiar.
Pasi nuk ka kryer detyrën për të cilën është paguar, ankuesi ka kërkuar të takojë avokatin për t’i kërkuar shpjegime, por ky i fundit vendosi të ndërpriste çdo komunikim me të.
Idejet Beqiri ka përdorur justifikimin që tërmeti i ka prishur arkivën dhe se nuk gjente dot dosjen me dokumente.
“1. Për shkak të kalimit të një kohe të gjatë prej vitit 2018, por edhe për shkak se tërmeti i Nëntorit të vitit 2019 i kishte rrafshuar tërësisht arkivën dhe nuk ishte në gjendje të gjente dokumentacionin respektiv, nuk i kujtoheshin me saktësi rrethanat e ngjarjes”.
Lidhur me rastin, gjithashtu ndaj Idajet Beqirit u vendos kthimi i shumës prej 40’000 lekë ndaj Ferdi Kastratit, si shërbim i parealizuar ndaj klientit.
Komiteti Disiplinor ka treguar se ndaj këtij avokati ka pasur në mënyrë të përsëritur kërkesa për procedim disiplinor dhe në ngarkim të tij janë marrë masa disiplinore.
Dokumenti i plotë:
Ankimuesi Ferdi Kastrati i është drejtuar Komitetit Disiplinor te DHASH me ankim te dates 17.07.2024 për shkelje te pretenduar te avokatit Idajet Beqiri ne ushtrim te profesionit te avokatit, lidhur me një çështje civile me objekt Pezullim i Ekzekutimit të Veprimeve Përmbarimore, për shembjen e një ndërtese pa leje në posedim të tij.
Ne kërkesën e tij ankimore ankimuesi sqaron se në rrethana rastësore ka takuar në ambientet e punës, pranë një televizioni ku ai punonte, avokatin Idajet Beqiri dhe i ka kërkuar ta përfaqësonte në një çështje civile që lidhej me shembjen e një ndërtimi pa leje.
Pasi i ka shpjeguar çështjen, avokati ka marrë përsipër përfaqësimin duke i premtuar se do ta mbyllte çështjen duke kërkuar në gjykatë nëpërmjet një padie pezullimin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor. Për realizimin e shërbimit të ofruar, ankimuesi pretendon se avokati i ka kërkuar 200’000 (Dyqindmijë) lekë, të cilat ankuesi pretendon se ja ka paguar në formë Cash, në mirëbesim dhe pa dokument financiar.
Pas disa ditësh ekzekutimi i vendimit gjyqësor u krye nga ana e përmbaruesit gjyqësor privat dhe në këto kushte ankuesi i kërkoi takim avokatit për të ardhur në dijeni të rrethanave në të cilat vendimi u ekzekutua dhe se sipas tij, realiteti tregoi se avokati nuk e kishte realizuar premtimin për të cilin kishin rënë dakord. Nga ana e avokatit nuk pati asnjë reagim dhe jo vetëm nuk bëri asnjë tentativë për ta takuar, por ndërpreu çdo komunikim me klientin ankues, madje duke u fshehur edhe kur ky i fundit paraqitej në zyrën e tij për ta takuar dhe kërkuar shpjegime.
Në këto kushte, kur nuk kishte më asnjë mundësi dhe shpresë komunikimi me avokatin, ankuesi ju drejtua prokurorisë me kallëzim penal ndaj avokatit për veprën penale të mashtrimit, parashikuar nga neni 143 i K.Penal. Në fund të hetimit penal, në datën 28.12.2023, prokuroria i komunikoi ankuesit vendimin për mosfillim të procedimit penal.
Nga ky moment, klienti ankues vendosi të ndjekë çështjen në rrugë administrative dhe civile, duke ju drejtuar fillimisht Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë me kërkesë ankimore, nëpërmjet të cilës ai kërkon fillimin e procesit disiplinor dhe marrjen e masave disiplinore të pezullimit të licencës dhe kthimin e shumës së pretenduar që ishte përfituar nga ana e avokatit në shumën 200’000 lekë.
Lidhur me këtë marrëdhënie të shërbimit të avokatisë, ankimuesi pretendon:
1. Avokati nuk ka respektuar marrëveshjen (gojore) dhe nuk ka treguar transparencë për të dhënë sqarime lidhur me situatën juridike në të cilën u zhvilluan ngjarjet, si dhe të shpjegonte aktivitetin e avokatit deri në momentin e ekzekutimit të vendimit dhe arsyet pse nuk u bë e mundur ndalimi i ekzekutimit të vendimit. Kush ishte veprimtaria e avokatit të realizuar në funksion të shërbimit të avokatisë. Në kushtet e mungesës së plotë të transparencës, klienti nuk ka patur asnjë dijeni lidhur me veprimet që ka kryer avokati në këtë përfaqësim.
2. Avokati ka kërkuar dhe ka marrë shumën 200’000 lekë pa lëshuar faturë tatimore, duke e detyruar atë të paguante cash shumën e pretenduar të paguar. Për këtë arsye, sot ai nuk është në gjendje të provojë pagesën e shumës së paguar nga ana e tij për llogari të avokatit. Klienti shpjegon se me mirëbesim i ka paguar shumën e kërkuar nga avokati pa faturë, pasi ai i premtoi se ceshtja do të zgjidhej dhe për të nuk kishin rëndësi lekët e paguara por zgjidhja e çështjes.
3. Avokati në asnjë rast nuk ka kontaktuar dhe nuk ka pranuar ballafaqim me klientin për ti dhënë shpjegime qoftë edhe për të justifikuar mosplotësimin e premtimit të dhënë. Ai ka pasur detyrimin ligjor të justifikonte shumat e përfituara nëpërmjet një procesi transparent për veprimet juridike administrative të kryera nga ana e tij.
Bashke me kërkesën ankimore, ankuesi ka depozituar ne formën e provës shkresën nr 874/7 Prot. të datës 29.10.2018 me objekt kërkesë për mbështetjen e forcave të policisë së shtetit për ekzekutimin e titullit ekzekutiv, si dhe vendimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për mosfillimin e procedimit penal, të datës 22.11.2023.
Avokati nga ana e tij ka paraqitur shpjegimet me shkrim nëpërmjet shkresës me nr. 27/09 akti te datës 07.10.2024 dhe njëkohësisht është përfaqësuar në seancën e procesit disiplinor nëpërmjet avokat Andon Beta, ku pretendohet se:
1. Për shkak të kalimit të një kohe të gjatë prej vitit 2018, por edhe për shkak se tërmeti i Nëntorit të vitit 2019 i kishte rrafshuar tërësisht arkivën dhe nuk ishte në gjendje të gjente dokumentacionin respektiv, nuk i kujtoheshin me saktësi rrethanat e ngjarjes.
2. Ka kontaktuar me ankuesin Ferdi Kastrati në ambientet e një televizioni privat, i cili i ka kërkuar përfaqësim në një çështje që lidhet me ekzekutimin e një titull ekzekutimi, sipas një vendimi gjyqësor i cili kishte marrë formë të prerë.
3. Në shpjegimet e tij, por edhe në deponimet e përfaqësuesit në seancën e shqyrtimit të kërkesës ankimore, pretendohet se ngjarja ka ndodhur në vitin 2018 dhe për këtë arsye kërkesa është jashtë afatit ligjor dhe referuar ligjit të posaçëm për avokatinë ajo duhet mos pranuar.
4. Megjithatë, shprehet avokati, ai pretendon se ka kryer detyrimet e tij profesionale, pasi ka marrë dosjen, e ka studiuar dhe ka arritur në konkluzionin se vendimi gjyqësor ishte i drejtë dhe ka vlerësuar se nuk kishte arsye ligjore për ta kundërshtuar në rrugë gjyqësore. Për këtë vlerësim të tij ka vënë në dijeni edhe ankuesin.
5. Duke qenë se rruga gjyqësore ishte e pamundur, për shkak të mungesës së shkaqeve ligjore, avokati ka pretenduar se do të ndërhynte për ta zgjidhur konfliktin me marrëveshje.
6. Më pas nuk kishte mundur të realizonte një gjë të tillë dhe pasoja ishte që përmbaruesi kishte ndërhyrë në pronën e tij dhe kishte ekzekutuar titullin ekzekutiv.
7. Lidhur me pagesën që pretendon klienti ankimues, avokati sqaron se nuk është i saktë në shumën e parave të përfituara nga klienti, por ai i paguante herë pas here sasi lekësh në shuma që nuk i kujtoheshin, por që për të cilat ka shlyer detyrimet tatimore.
8. Ankimuesi ka paraqitur edhe kallëzim penal, për të cilin prokuroria ka vendosur mospranim, sqaron avokati.
9. Për sa më sipër, përfundimisht ai kërkon rrëzimin e kërkesës.
Bashke me shpjegimet, avokati ka paraqitur në formën e provës dokumentet si më poshtë:
• Shkresën me nr. 20/10 Akti të dates 03.11.2018, drejtuar shoqërisë përmbarimore “Enforcement Group” shpk, me lënda “Kërkojmë mirkuptimin tuaj për të n’a lënë një minimum kohor për të gjetur një zgjidhje me mirkuptim lidhur me konfliktin e familjeve “Treni” dhe “Kastrati”.
Shkresën me nr. 31/10 Akti të dates 31.10.2018, drejtuar Zotit Ramiz Treni (Arjeta Bomllari), me lënda “Kërkojmë mirkuptimin tuaj për një takim dhe për të gjetur një zgjidhje me mirkuptim të konfliktit me familjen “Kastrati”.
Komiteti Disiplinor pasi vlerësoi kërkesën ankimore të subjektit ankimues, spiegimet përkatëse të avokatit subjekt i ankimuar dhe deklarimet e përfaqësuesit të avokatit në seancën e shqyrtimit disiplinor
Konstatoi
Kërkesa ankimore e depozituar përpara Komitetit Disiplinor të DHASH është një kërkesë legjitime, në përputhje të plotë me legjitimitetin e ankimuesit të parashikuar nga neni 40, pika 2, gërma “a” e ligjit nr 55/2018 “Per Profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë”.
1. Midis ankuesit Ferdi Kastrati dhe avokatit Idajet Beqiri është rënë dakord që ky i fundit të ofrojë shërbimin e avokatisë në çështjen civile ne ngarkim te ankimuesit dhe që lidhej me ekzekutimin e një titulli ekzekutiv nga ana e një përmbaruesi gjyqësor privat. Për këtë qëllim avokati duhej të pajisej me prokurë përfaqësimi për të garantuar legjitimitetin e përfaqësimit dhe ndjekjen e rrugës ligjore. Prokura e përfaqësimit është një veprim juridik i cili kryhet me vullnetin e vetë të interesuarit, por që në mungesë të saj avokati nuk mund të ofrojë shërbim avokatie. Po kështu çështja nuk ka kaluar në proces gjyqësor ku përfaqësimi mund të realizohej nëpërmjet deklarimit në seancë gjyqësore. Duke ju referuar mungesës së ekzistencës të të dy këtyre elementëve procedurale të përfaqësimit, Komiteti Disiplinor vlerësoi se avokati ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore që rregullojnë profesionin e avokatit dhe kjo vërtetohet nga fakti që kërkesa e tij, me shkresën nr. 20/10 Akti të dates 03.11.2018, drejtuar shoqërisë përmbarimore “Enforcement Group” shpk, me lënda “Kërkojmë mirëkuptimin tuaj për të n’a lënë një minimum kohor për të gjetur një zgjidhje me mirëkuptim lidhur me konfliktin e familjeve “Treni” dhe “Kastrati”, nuk është marrë në konsideratë nga ana e përmbaruesit, ndofta edhe për faktin se përfaqësuesi ligjor i debitorit nuk ka patur prokurë përfaqësimi.
2. Njëkohësisht Komiteti Disiplinor e vlerësoi jo profesionale këtë kërkesë jo vetëm nga pikpamja procedurale por edhe ajo formale. Në shkresën me nr. 20/10 Akti të datës 31.10.2018, avokati i është drejtuar shoqërisë përmbarimore “Enforcement Group” shpk, e cila sikurse shihet qysh në emërtim gëzon statusin e një shoqërie tregtare në formën e një SHPK. Ndërkohë avokati për njoftim i është drejtuar edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Përmbarimit Shtetëror. Përmbaruesi gëzon status të veçantë, sikurse përcaktohet në nenin 6 të Ligjit nr. 10031 datë 11.12.2008 (i ndryshuar), ku thuhet Përmbaruesi gjyqësor privat kryen dhe mban detyrën në emër të tij dhe nën përgjegjësinë vetjake. Vetëm personat e licencuar, sipas kritereve dhe rregullave të përcaktuara në këtë ligj mund të kryejnë procedura ekzekutimi brenda funksionit të Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Privat. Pra nga pikëpamja administrative përmbarimi gjyqësor privat nuk ka asnjë vartësi institucionale nga Drejtori i Përgjithshëm i Përmbarimit Shtetëror dhe se veprimi mund të jetë ndërmarrë për të justifikuar shërbimin avokator.
3. Avokati pretendon se ka studiuar dosjen dhe ka arritur në konkluzionin se vendimi gjyqësor ishte i qartë dhe i saktë aq sa nuk lejonte hapësira për tu ankimuar. Komiteti disiplinor vlerësoi se vendimet gjyqësore të cilat kanë marrë formë të prerë nuk lënë hapësira për diskutim, por janë të detyrueshme për zbatim. Dhe ky është parim universal. Konstatimi i mësipërm nuk mund ti japë të drejtë avokatit të pretendojë se është korrekt nga pikpamja e një shërbimi të përshtatshëm profesional.
Në rrethanën konkrete, avokati kishte dy mundësi ligjore, e para, ti drejtohej gjykatës me padi për Pezullim të Ekzekutimit të Vendimit, nëpërmjet të cilës avokati i debitorit (klienti ankimues) brenda 30 ditëve nga marrja dijeni për fillimin e ekzekutimit të detyrueshëm mund të kërkonte në gjykatën kompetente të vendit të ekzekutimit që të krijonte hapësira që titulli ekzekutiv mund të ishte i pavlefshëm ose se detyrimi nuk ekziston, ose ekziston në një masë më të vogël ose është shuar më pas. Dhe e dyta, në momentin që avokati konstaton se ndjekja e të gjitha rrugëve ligjore në përfundim të çojnë në të njëjtën pasojë, atë të pashmangshmërisë të ekzekutimit të urdhrit të ekzekutimit, ti spangoje me profesionalizëm klientit të vet se ngjarja është e pashmangshme dhe ai të ndërpresë shërbimin e avokatisë duke respektuar të gjitha detyrimet ligjore që burojnë nga ndërprerja e ushtrimit të profesionit në mënyrë të njëanshme nga ana e avokatit, sipas kërkesave të nenit 17 të Ligjit nr. 55/2018. Komiteti Disiplinor konstatoi se avokati jo vetëm nuk disponoi kërkesë padi në gjykatë, qoftë edhe për të fituar kohën e kërkuar për zgjidhjen me mirëkuptim të çështjes me palën kreditore, sikurse ai pretendon, por e thelloi akoma më tepër shërbimin e papërshtatshëm profesional duke i kërkuar me shkresë shoqërisë përmbarimore për ti lënë kohë për të zgjidhur me mirëkuptim konfliktin. Ky është vlerësuar si një veprim aspak profesional, i pabazuar në asnjë dispozite proceduriale dhe që për më tepër, ligjërisht zgjidhja me mirkuptim është tagër i ndërmjetësit ndërkohë që avokati ka detyrime të tjera sipas marrëveshjes me klientin. Nga sa më sipër, Komiteti Disiplinor arriti në konkluzionin se jemi përpara shkeljes së dispozitave që lidhen me shërbim të papërshtatshëm profesional, parashikuar nga neni 39, gërma “b” të Ligjit nr. 55/2018 “Për Profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë”.
4. Avokati në sqarimet e tij, por edhe në relatimin e përfaqësuesit në seancën e shqyrtimit disiplinor të ceshtjes, ka pranuar që ka marë përsipër shërbimin e avokatisë për klientin dhe cështjen në fjalë. Ligji nr. 55/2018 “Për Profesionin Avokatit në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 8 të tij, gërmadh” shprehet se ofron shërbimin e avokatisë në çdo rast mbi bazën e një marrëveshjeje me shkrim të lidhur midis tij dhe klientit, në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit Civil.
Ndërsa në nenin 16, pika 1 gërma “a” përcakton se: Shpërblimi i avokatit për punën e kryer caktohet në një nga mënyrat e mëposhtme:
a) me marrëveshje ndërmjet avokatit dhe klientit. Marrëveshja e lidhur ndërmjet avokatit dhe klientit përbën titull ekzekutiv.
Neni 510 i K. Pr. Civile, gërma “e”, përcakton se janë tituj ekzekutivë aktet e tjera që sipas ligjeve të veçanta quhen tituj ekzekutiv.
Në referim të citimeve të mësipërme marrëveshja avokat klient është një akt i shkruajtur në formën që përcakton ligji. Avokati ka patur detyrimin ligjor që për realizimin e shërbimit të avokatisë të lidhte akt marrëveshje me shkrim. Një gjë e tillë nuk është realizuar nga ana e avokatit dhe për këtë arsye Komiteti Disiplinor ka arritur në konkluzionin se avokati ka shkelur dispozitën përkatëse të ligjit për avokatinė.
Mungesa e akt marrëveshjes avokat klient përbën shkak për të zgjeruar hapësirën e arsyetimit dhe të shqyrtimit të kërkesës ankimore nga ana e Komitetit Disiplinor, e cila lidhet me angazhimin që merr përsipër avokati në realizimin e shërbimit të avokatisë, por edhe me pretendimin e ankuesit për pagesën dhe kthimin e shumave të pretenduara prej tij. Komiteti Disiplinor konstatoi se vetë ankuesi nuk zotëronte dokumentacion financiar apo të çdo lloji tjetër për të provuar shumën e pretenduar të paguar ndaj avokatit në vlerën e 200’000 lekëve dhe për këtë shkak kërkesa për kthimin e kësaj shume nuk mund të merret në konsideratë. Njëkohësisht ky Komitet, duke u nisur nga fakti që avokati ka në sqarimet e tij ka pranuar shërbimin e avokatisë dhe ka përfituar herë pas here shuma të paguara nga klienti ankimues, të cilat nuk i kujtoheshin në ç’farë shumash, por që në çdo rast shprehet Ai, ka shlyer detyrimet tatimore për këto shuma, vlerëson se duhet të përcaktojë një shumë reference të përfitimit të avokatit. Dhe i vetmi akt që përcakton tarifat referenciale të shërbimit të avokatisë është Urdhëri nr. 1284/3 datë 16.03.2005, “Për miratimin e tarifave të shpërblimit të avokatëve për dhënien e ndihmës juridike”¹. Përcaktimi kësaj shume bëhet edhe në referim të nenit 16/3 të ligjit 55/2018, ku mënyra e pagesës në rastin e mungesës së akt marrëveshjes me shkrim përcaktohet sipas tarifave të vendosura në këtë urdhër.
5. Në të njëjtën linjë arsyetimi është trajtuar nga ana e Komitetit Disiplinor edhe pretendimi i avokatit se, për shumat e përfituara nga ana e këtij klienti, ai ka deklaruar qysh në vitin 2019 detyrimet tatimore që buronin nga këto të ardhura. Komiteti Disiplinor vlerëson se :
Nuk mund të ketë deklarim në tatime pa përcaktuar dhe dokumentuar më parë shumën dhe llojin e transaksionit, pasi deklarimi tatimor lidhet me arkëtimet e realizuara dhe në raport me këto arkétime paguhen detyrimet në përqindje të përcaktuara në legjislacionin tatimor. Avokati nuk paraqitit asnjë dokument që të provojnte një gjë të tillë dhe, edhe nëse do të pranohej i mirqenë pretendimi për deklarim të të ardhurave pranë organit tatimor, ai ka barrën e provës për ti justifikuar këto pretendime, madje fare thjesht duke shkarkuar nga sistemi tatimor pagesat e kryera mbi bazën e deklarimeve të bëra. Komiteti Disiplinor i ka bërë të qarté përfaqësuesit të avokatit në seancën e shqyrtimit disiplinor se në serverin e tatimeve egziztojnë të gjitha pagesat e kryera dhe qëllimi përse janë kryer këto pagesa, për çdo subjekt deklarimi dhe për çdo pagesë të kryer nga ana e tij. Komiteti Disiplinor vleresoi se lëshimi I fatures tatimore per kryerjen e sherbimit te avokatise dhe likuidimi i shumes se percaktuar ne fature nuk mund të bëhet jashte përcaktimeve ligjore te parashikuara ne legjislacionin tatimor. Komiteti vlerësoi se avokati nuk e ka plotësuar një detyrim të tillë dhe për këtë arsye duhet të konsiderohet në shkelje të dipozitave ligjore në fushën e deklarimit dhe të pagesave të detyrimeve tatimore.
6. Komiteti Disiplinor, në analizën e pretendimit të avokatit lidhur me mungesën e dokumentacionit për shkak të prishjes së arkivës nga tërmeti i vitit 2019, kërkoi nga ana e avokatit regjistrin e veprimeve dhe shërbimeve të avokatisë, i cili krijohet dhe administrohet nga avokati ně formën dhe përmbajtjen e përcaktuar në Statutin e Dhomës së Avokatisé té Shqipërisë. Nga ana e përfaqësuesit të avokatit u pretendua sërish se arkiva ishte e dëmtuar prej tërmetit. Komiteti Disiplinor nuk e morri në konsideratë përgjigjen e përfaqësuesit dhe e vlerësoi si shkelje të dispozitave ligjore mungesën e paraqitjes së këtij regjistri.
7. Komiteti Disiplinor, në kushtet e mungesës së pagesave për shërbimin e ofruar dhe pretendimeve të palëve, vlerësoi se lind si domosdoshmëri llogaritja e këtij shpërblimi, mbi bazën e legjislacionit në fushën e avokatisë. Ligji nr. 55/2018, në nenin 16, pika 3, përcakton se Kryetari i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë dhe Ministri i Drejtësisë përcaktojnë tarifat referuese të shpërblimit të avokatit, të cilat zbatohen në rastin kur në marrëveshjen me shkrim ndërmjet avokatit dhe klientit nuk është parashikuar mënyrë shpërblimi. Kjo do të thotë se në kushtet e mungesës së akt marrëveshjes midis avokatit dhe palès ankimuese shuma e shërbimit të ofruar nuk mund të jetë më e lartë se 40’000 lekë. Duke ju referuar edhe thënieve të avokatit në spiegimet e tij me shkrim, në faqen 5, paragrafi parafundit, ku shprehet se kam përfituar shuma të herëpasherëshme, vlerëson se shuma referencë e shpërblimit të avokatit duhet të jetë në shumën e 40’000 lekë.
8. Lidhur me pretendim për kalimin e afateve ligjore të ankimit. Ligji nr. 55/2018 “Për Profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 40, pika 3, përcakton: Ankesat mund të bëhen brenda 1 viti, nga data e sjelljes ose veprimit të avokatit apo nga data e konstatimit të sjelljes ose veprimit të avokatit, por në çdo rast jo me vonë se 2 vjet nga momenti i kryerjes së shkeljes. Pas kalimit të këtij afati, ankuesi ka të drejtë të kërkojë pranë Komisionerit të Ankimeve rivendosjen në afat në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.
Lidhur me afatin e depozitimit të kërkesës ankimore, Komiteti Disiplinor në mbledhjen e tij të datës 10.10.2024 kërkoi spiegime nga palët dhe pezulloi shqyrtimin e kërkesës ankimore, duke vendosur të kërkojë nga Komisioneri i Ankimeve verifikimin e afateve të kërkesës. Kërkuesi nga ana e tij ka kërkuar shqyrtimin e kërkesës për rivendosje në afat, edhe pse ai pretendoi se fillimi i afateve duhet të fillonte pas përfundimit të procesit penal.
Komisioneri i ankimeve, me vendim të datës 20.11.2024 ka pranuar kërkesën për rivendosje në afat me arsyetimin e mëposhtëm.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 2018 dhe nga ana e ankuesit ishte depozituar kallzim penal për veprën penale të “Mashtrimit”, parashikuar nga neni 143 i K.Penal. Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendim të datës 22.11.2023 ka vendosur mosfillimin e procedimit penal. Duke qenë se ligji organik përcakton se Në rast të procedimeve penale, që lindin nga të njëjtat rrethana si ato që çojnë në procedim disiplinor, procedimi disiplinor pezullohet dhe afati kohor shtyhet deri në përfundim të procedimit penal dhe çdo dënim penal pranohet në procedimin disiplinor, Komisioneri i Ankimeve vlerëson se ka shkaqe të arsyeshme për pranimin e kërkesës për rivendosje në afat sipas parashikimeve të nenit 54 të K.Pr. Administrative dhe se llogaritja e afateve duhet të fillojë pas datës 22.11.2023.
Komiteti Disiplinor pranoi relacionin e Komisionerit të Ankimeve dhe për këtë arsye kërkesa për rivendosje në afat duhet pranuar.
Përsa i takon mosfillimit të procedimit penal, referuar vendimit të Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në faqen e fundit të këtij vendimi shprehet se Në këto kushte, duke patur parasysh sa më sipër, si dhe në zbatim të nenit 143 të Kodit Penal rezulton se nuk jemi para konsumimit të elementëve që kërkon kjo vepër penale pasi çeshtja ka element të konfliktit civil….. Konstatimi nga ana e prokurorisë se nuk ka elementë të kryerjes së një vepre penale nuk tregon se shkeljet administrative nuk janë kryer dhe për këtë shkak subjekti ankues Ferdi Kastrati ka filluar procedurat e kërkimit në rrugë civile administrative.
Komiteti Disiplinor, duke ju referuar pretendimeve te palëve, provave dhe fakteve të paraqitura nga palët në këtë proces, si dhe konstatimeve të bëra gjatë procesit disiplinor
Arriti në Konkluzion se:
Avokati ka kryer shkelje të cilat klasifikohen:
1. “Shërbime të papërshtatshme profesionale”, ku përfshihen veprime apo mosveprime ndaj klientit, të cilat janë dukshëm nën nivelin e pritshmërisë së shërbimit të avokatit, sikurse janë arsyetuar në pikat 1,2 dhe 3 të kapitullit të konstatimeve të këtij vendimi.
2. “Sjellje jo Profesionale të Avokatit” ku përfshihen veprime në kundërshtim me dispozitat ligjore ose nënligjore, statutin, si dhe Kodin e Etikës të Avokatit, të cilat janë arsyetuar në po të njëjtin kapitull të këtij vendimi, dhe që lidhen me mungesën e transparencës dhe veprimit në interesin më të lartë të klientit, mungesa e marrrëveshjes avokat – klient, mungesa e dokumentacionit financiar për pagesat e përfituara, mungesa e shlyerjes së detyrimeve tatimore si dhe mungesa e regjistrimit të ceshtjes në regjistrin e avokatit.
3. Mungesa e hartimit të akt marrëveshjes me shkrim nga ana e avokatit është vlerësuar nga ana e Komitetit Disiplinor si një shkelje, e cila në hierarkinë e dispozitave ligjore në ushtrim të profesionit të avokatit konsiderohet e një rëndësie të veçantë, edhe për shkak të cilësimit juridik si titull ekzekutiv nga ana e ligjvënësit. Realizimi i shërbimit të avokatisë në një marrëdhënie avokat klient përcaktohet pikërisht nëpërmjet akt marrëveshjes ku përveç të tjerave përcaktohen edhe detyrat e palëve në këtë akt marrëveshje si dhe afatet e realizimit të shërbimit të avokatisë. Mungesa e saj do të linte hapësira të keqpërdorimit të besimit të klientit me pasoja të cilat jo rrallë herë kërkojnë ndërhyrjen e organeve proceduese. Pikërisht për shkak të përgjegjësisë profesionale që avokati Idajet Beqiri ka marrë përsipër duke mos përpiluar akt marrëveshje me shkrim, Komiteti Disiplinor vlerësoi se ai nuk ka mundur të provojë detyrimet dhe realizimin në këtë marrëdhënie shërbimi avokatie të ofruar ndaj klientit ankimues dhe për këtë arsye, ai duhet të konsiderohet në shkelje të dispozitave ligjore që rregullojnë profesionin e avokatit dhe për pasojë duhet marrë masë disiplinore.
4. Njëkohësisht, Komiteti Disiplinor arriti në konkluzionin se ndaj këtij avokati ka pasur në mënyrë të përsëritur kërkesa për procedim disiplinor dhe në ngarkim të tij janë marrë masa disiplinore. Karakteristika dalluese e të gjitha këtyre ankesave ka qenë se në të gjitha ankesat nuk ka pasur akt marrëveshje me shkrim dhe se shumat e përfituara nuk kanë qenë të shoqëruara me dokumentacion financiar për vërtetimin e këtyre pagesave. Kështu,
4.1 Me vendimin nr. 346 datë 10.07.2024 Komiteti Disiplinor ka pranuar kërkesën ankimore të shtetasit Vasil Dervishanji dhe ka marrë masën disiplinore: Kthimin e shumes prej 190’000 (Njeqindenentedhjetemije) lekë z. V. D., si shërbim i parealizuar ndaj klientit;
Vendosje gjobe ne vleren 100’000 (Njeqindmije) leke ndaj avokatit Idajet Beqiri për shkelje të përseritura te Ligjit dhe dispozitave që rregullojne profesionin e avokatit në Republiken e Shqipërisë.
4.2 Me vendimin nr. 166 datë 27.06.2024 Komiteti Disiplinor ka pranuar kërkesën ankimore të shtetasit Nikollaq Pali dhe ka marrë masën disiplinore: Pranimin e ankesës përsa i përket rikthimit të pagesës për pjesën e shërbimit të parealizuarnë shumën 100’000 (Njëqindmijë) lekë.
4.3 Me vendimin nr. 167 datë 27.06.2024 Komiteti Disiplinor ka pranuar kërkesën ankimore të shtetasit Inajet Caushi dhe ka marrë masën disiplinore: Vërrejtje me shkrim.
4.4 Me vendimin nr. datë 30.05.2019 Komiteti Disiplinor ka rrëzuar kërkesën ankimore të shtetasit Kujtim Delishi për shkaqe proceduriale, pasi kishin kaluar afatet e ankimit pranë Komitetit Disiplinor.
4.5 Me vendimin nr. 56 datë 23.10.2014 Komiteti Disiplinor ka pranuar kërkesën ankimore të shtetasve Taf MALOKU, Bakushe SELA dhe Pëllumb DOKU dhe ka marrë masën disiplinore: Kthimin e shumës prej 100’000 (Njëqindmijë) lekë për pjesën e parealizuar të shërbimit të avokatisë, sipas prokurës.
5. Lidhur me kërkesën e ankuesit paraqitur ne ankimin e klientit ankimues dhe qe lidhet me kthimin e shumes prej 200’000 leke, Komiteti Disiplinor vlerëson se kërkesa në shumën e mësipërme eshte e pa provuar me dokumente dhe duhet pranuar pjesërisht dhe vetëm në vlerën e tarifave minimum të përcaktuara në urdhrin nr. 1284/3 të datës 16.03.2005,në shumën 40’000 lekë.
Arsyetimi që e çoi Komitetin Disiplinor në një vendimmarrje të tillë është fakti që vetë avokati ka pranuar që ka përfituar shuma në mënyrë të herëpasherëshme, por që nuk mban mend shumën reale të përfituar. Duke qenë që ky Komitet e ka konsideruar shërbimin e marrë përsipër si të parealizuar, ka arritur në konkluzionin se shuma e përfituar si më lart duhet ti kthehet klientit ankimues. Kjo masë parashikohet në nenin 45, pika 2, germa “b” të Ligjit nr. 55/2018, ku percaktohet kompetenca e Komitetit Disiplinor per dhenien e mases disiplinore…….. b) Rikthimin e Pagesës se përfituar, ne përputhje me pjesën e shërbimit te parealizuar ndaj klientit.
Në përfundim te shqyrtimit administrativ, Komiteti Disiplinor arriti ne konkluzionin se në mardhënien objekt i shqyrtimit avokat klient midis ankuesit Ferdi Kastrati dhe avokatit Idajet Beqiri ka patur shkelje të dispozitave të ligjit dhe akteve të tjera nënligjore nga ana e këtij të fundit sipas klasifikimit të parashikuar në nenin 39, gërma “a” dhe “b” të Ligjit 55/2018. Këto veprime antiligjore konsistojnë në shkeljen e kërkesave të parashikuara nga neni 3, pika 2; neni 8, gërma “dh”; neni 15, pika 33; neni 16, pika 1 dhe 2 të Ligjit dhe duke ju referuar faktit që shkeljet e avokatit kanë qenë në mënyrë të përsëritur dhe të së njëjtës natyrë, kerkesa e ankuesit duhet pranuar.
PER KETO ARSYE
Bazuar ligjit Nr. 55/2018, “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, neni 46, pika 2, germa “a”
VENDOSI:
6. Të pezullojë lejen e ushtrimit të profesionit për një periudhë kohore prej 3 (Tre) muaj;
7. Kthimin e shumes prej 40’000 (Dyzetëmijë) lekë z. Ferdi Kastrati, si shërbim i parealizuar ndaj klientit;
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet administrata e Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë. Kundër vendimit lejohet ankim pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, brenda 45 ditëve nga dita e marrjes së vendimit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.