Shqiptarët që kanë emigruar jashtë vendit kanë fituar rreth 190 milionë euro nga pagat e tyre përgjatë 3-mujorit të tretë të këtij viti. Ky është niveli më i lartë i të ardhurave që janë regjistruar ndonjëherë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, të ardhurat nga pagat e emigrantëve shqiptarë kanë pësuar një rritje të ndjeshme prej rreth 26 milionë euro.
Kjo rritje lidhet me faktin e emigrimit masiv dhe me kërkesat e larta për punë në vendet europiane dhe më tej. Në total, gjatë 9 muajve të parë të vitit, shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, përmes pagave të tyre, kanë siguruar rreth 488.6 milionë euro.
Nga ana tjetër, nëse marrim parasysh edhe investimet që këta individë kanë realizuar jashtë vendit, të ardhurat totale përgjatë 3-mujorit të tretë arrijnë deri në 264 milionë euro.
Ky fluks financiar tregon gjithashtu një rritje të investimeve të tyre jashtë vendit. Në këtë mënyrë, të ardhurat totale për periudhën korrik-shtator të vitit 2024 janë zgjeruar me rreth 50 milionë euro, duke theksuar rritjen e vazhdueshme dhe ndikimin pozitiv të emigrantëve në ekonominë e Shqipërisë./Scan