Veliaj rendit disa nga projektet e reja infrastrukturore të përfshira në buxhetin për 2025
Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj renditi disa nga projektet infrastrukturore në fokus të buxhetit të vitit 2025. “Do të vijojme me punën për konceptin e 100 lagjeve.
Kemi rehabilituar rreth 75 lagje në kryeqytet, kemi edhe rreth 25 ndërhyrje të ngjashme për cilësi, urbanitet dhe hijeshi”, u shpreh Veliaj, teksa tregoi disa prej blloqeve të banimit ku do të ketë ndërhyrje në kryeqytet, “Blloku që kufizohet nga rruget Ali Shefqeti – Aleksander Konda – Ramazan Gaxheri-Feim Ibrahimi; Do kemi ndërhyrje rehabilituese në bllokun që kufizohet nga rrugët “Ibrahim Rrugova” – “Nikolla Tupe” – “Sami Frashëri” – “Brigada VII” (në kuadër të “ëALK21”); Do ndërhyjmë në bllokun që kufizohet nga rrugët “Endri Keko” – “Sadik Petrela” – “Xhanfize Keko” – “Nikolla Zoraqi”, Do rikonstruktojmë rrugën, Pjetër Budi, rrugën “Skender Luarasi”, rrugën “Liqeni i Thatë”, Parkun Memorial i Varrezave të Dëshmorëve Tiranë, si dhe ndërtimin e Unazës Mustafakoc-Veski-Kocaj, dhe asfaltimin e Unazës që lidh 5 fshatra. “, tha Veliaj.
Mandej Veliaj shtoi se Bashkia Tiranë ka në fokus edhe ndërtimin e hapësirave të reja për varreza publike. “Do bëjmë ndriçimin e qytetit me LED dhe SMART, kryesisht në rrugë, sheshe publike dhe infrastruktura kryesore. Gjithashtu do implementojmë infrastrukturën e nevojshme për personat me aftësi të kufizuara në të gjitha objektet publike.
Të tilla si; rampa, sinjalizues tokësor dhe zanor, tualete specifike, legjenda të posaçme për të verbër, etj. Si dhe do ndërtojmë korsitë e dedikuara për autobus në disa akse rrugore, zgjidhja e nyjes së Kasharit dhe rehabilitimi i stacioneve të autobuzave në zonën qendrore. Brenda vitit fillon konkretizimi në stacione i brendit “Urbani” dhe hartën e autobusëve për të identifikuar itineraret në 137 ndalesat e autobusëve – një standard i çdo qyteti europian dhe imazh dinjitoz i këtij shërbimi.
Gjithashtu në qoftë se dëshiron të marrësh një licencë për të ofruar shërbimin e taksisë, nuk pret në radhë kur taksia është elektrike. Çdo vit shtojmë numrin e mjeteve të transportit të gjelbër, dhe për vitin që vjen mendohet krijikimi i një stacioni të ri për karikimin e automjeteve elektrike me Ambiente Rekreative”, përfundoi Veliaj.