Me afrimin e festave të fundvitit, të shumtë janë shqiptarët preferojnë të kalojnë pushimet me të afërmit e tyre jashtë vendit, ose në destinacione turistike të njohura.
Të dhënat nga kompanitë low-cost që operojnë në aeroportin e Rinasit tregojnë se, për datat e fundit të dhjetorit, çmimet e biletave kanë variuar ndjeshëm. Bileta më e shtrenjtë është për Brukselin, duke arritur në 91 euro, e ndjekur nga Milano me 75 euro. Pas tyre renditen destinacione si Parisi dhe Pisa, të cilat po ashtu mbeten të kërkuara.
Nga ana tjetër, agjencitë turistike kanë nisur prej kohësh të promovojnë oferta tërheqëse për ata që dëshirojnë të kalojnë natën e ndërrimit të viteve jashtë vendit.
Kostot përfshijnë si biletat, ashtu edhe akomodimin, duke i bërë këto paketa relativisht të përballueshme për xhepat e shqiptarëve.
Për shembull, një paketë 3-ditore në Milano kushton rreth 243 euro për person, ndërsa në Vjenë, një nga destinacionet më të preferuara këtë vit, çmimi arrin në 302 euro.
Statistikat zyrtare nga INSTAT tregojnë se vetëm gjatë muajit dhjetor të vitit 2023, numri i daljeve të shqiptarëve jashtë vendit ka arritur në rreth 600 mijë. Kjo shifër pasqyron një trend në rritje të lëvizjeve jashtë kufijve, sidomos në këtë periudhë festive.
Nga të dhënat e aeroportit të Rinasit rezulton se destinacionet më të preferuara mbeten qytete si Milano, Catania dhe Comiso. Ndërkohë, është vënë re edhe një interes i shtuar për vendet nordike, që kanë shtuar ndjeshëm numrin e fluturimeve.
Këto destinacione janë bërë gjithnjë e më tërheqëse, duke krijuar një atmosferë më festive për ata që zgjedhin të largohen nga Shqipëria për pushimet e fundvitit./ Scan