Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka folur për zërat se non grata i Berishës mund të anullohet.
Ai shprehet se Shtetet e Bashkuara i shohin përcaktimet si mjet i rëndësishëm për të ndihmuar reformat e sistemit të drejtësisë dhe ndjekjen e çështjeve anti-korrupsion dhe të krimit të organizuar.
VOA: Zoti Kasanof, ish-presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha u përcaktua nga Departamenti i Shtetit në vitin 2021 për korrupsion madhor. Në atë kohë ai ishte vetëm deputet, ndërsa tani është kryetar i partisë kryesore opozitare. A mund ta ndryshojë kjo marrëdhënien mes Uashingtonit dhe zotit Berisha?
Alexander Kasanof: Dëgjo, Armand, normalisht nuk flas për personat e përcaktuar dhe hollësitë e atyre rasteve. Ajo që do të doja të ritheksoja këtu është se Shtetet e Bashkuara i shohin përcaktimet si mjet i rëndësishëm për të ndihmuar reformat e sistemit të drejtësisë dhe ndjekjen e çështjeve anti-korrupsion dhe të krimit të organizuar. Këto mjete janë ndërtuar për të ndihmuar agjencitë vendase në terren, sidomos agjenci si SPAK-u, që të arrijnë misionin e tyre, por janë ndërtuar edhe për të ndihmuar përmirësimin e sundimit të ligjit dhe të reformave në vazhdim në sistemin e drejtësisë. Kjo është ajo që theksojmë. Dhe këtu do të mbetet theksi ynë dhe fokusi ynë i vazhduar.
VOA: Megjithatë ka një pritshmëri të lartë në gjirin e opozitës, se administrata e re e Presidentit të zgjedhur Donald Trump, mund të ketë një qasje të re ndaj zoti Berisha. Dhe ka zëra të opozitës që presin që përcaktimi “non grata” të mund të anullohet. A ekziston një mundësi e tillë?
Alexander Kasanof: Nuk mund të flas në emër të administratës që vjen. Do të ishte e pavend. Por, mund të ritheksoj për ju që në administratën e tanishme, ne do të vazhdojmë të fokusohemi tek këto reforma dhe të fokusohemi tek ndihma që institucione si SPAK-u të përmbushin misionin e tyre.
VOA: Shqipëria do të mbajë zgjedhje të përgjithshme vitin e ardhshëm. Disa nga shqetësimet kryesore në të kaluarën kanë qenë blerja e votave, shpërdorimi i fondeve shtetërore nga partia në pushtet dhe ndikimi i krimit të organizuar në këtë proces. A ndani dhe ju të njëjtat shqetësime dhe cilat janë pritshmëritë tuaja?
Alexander Kasanof: Pritshmëritë tona janë njësoj si për cilindo vend që zhvillon zgjedhje, që presim të shohim zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe që do të respektohet vullneti i popullit. Po ashtu, shpresojmë fort që do të shohim kandidatë që janë tërësisht të panjollosur nga korrupsioni apo nga lidhje me krimin e organizuar. Mendojmë se do të ishte rezultati më i mirë për Shqipërinë./ VOA