Hekurudha Shqiptare ka hapur tenderin për studimin dhe hartimin e projektit për rehabilitimin e linjës Rrogozhinë – Vlorë, si dhe projektimin e vijës së re që do të lidhë aeroportin e Vlorës me qytetin.
Sipas dokumenteve të tenderit, linja ekzistuese Rrogozhinë-Vlorë me gjatësi 84.27 km, funksionon nën kapacitetin optimal për shkak të infrastrukturës së vjetëruar dhe nevojës për përmirësime të thella. Ndërkohë që, ndërtimi i aeroportit të Vlorës krijon një mundësi të madhe për zhvillimin ekonomik dhe turistik të rajonit.
Për këtë arsye, është e domosdoshme ndërtimi i një linje të re hekurudhore për të lidhur qytetin e Vlorës me këtë aeroport.
“Kjo lidhje do të garantojë transport efikas për pasagjerët dhe do të rrisë atraktivitetin e rajonit për investime dhe turizëm”, – thuhet ndër të tjera në dokumentet e tenderit.
Kompania që do të fitojë tenderin do të duhet të hartojë një projekt zbatimi për një linjë hekurudhore elektrike me shpejtësi deri në 120 km/orë. Po ashtu, hekurudha duhet të jetë sipas standardeve të kategorisë UIC D4 me ngarkesë 22.5 ton për aks, dhe ngarkese gjatësore 8,0 t/m dhe mundësinë e drejtimit të trenave me gjatësi prej 740 m (mundësi për shkëmbim te trenave).
Sipas Hekurudhës Shqiptare zbatimi i këtij projekti synon të ofrojë një shërbim të kombinuar të transportit hekurudhor me transportin ajror, duke lehtësuar aksesin e udhëtarëve në aeroport në mënyrë më të shpejtë, të sigurt dhe më të qëndrueshme.
Gjithashtu, një nga objektivat kryesore është rritja e sigurisë së lëvizjes për udhëtarët, duke reduktuar rrezikun e aksidenteve./ Scan