Ish deputeti i PD, Belind Këlliçi është paraqitur në SPAK ditën e sotme.
Ai dyshohet se ka mashtruar me diplomën e shkollës së mesme, për të cilën thuhet se nuk e ka përfunduar, duke mbaruar vetëm 4 vite nga 5 të tilla në gjimnazin “Harry Fultz”.
Gjithashtu, Këlliçi dyshohet se ka falsifikuar formularin e vetdeklarimit kur ishte deputet i PD.
E gjitha kjo ka ardhur pas një kallëzimi penal nga avokati i njohur Idajet Beqiri. Në dosje thuhet se Këlliçi në datën 24 mars 2023 ka plotësuar një “Formular Vetdeklarimi” para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në të cilin ka theksuar se për periudhën e viteve 2005-2009 ka qenë me studime universitare në Baltimore, Maryland të SHBA.
Sipas kallëzimit penal, në të vërtetë deputeti Belind Këlliçi nuk kishte mbaruar arsimin e mesëm.
Pas daljes nga SPAK, Këlliçi u shpreh se është pyetur për gjithçka nga diploma e shkollës së mesme, te pasuria, madje edhe për foton me Donald Trump.
“Edukimi im është arma ime më e fortë dhe krenaria më e madhe e jetës sime. Mund të pyesni jo vetëm për shkollën e mesme, por edhe për atë 8 vjeçare.
Nëse keni interes për korrupsionin dhe aferat në Bashkinë e Tiranës, jam krenar që kam denoncuar aferën e inceneratorit dhe 5D”, tha Këlliçi.
“Më kanë kërkuar të ruaj sekretin hetimor. Për çdo gjë më kanë pyetur, edhe për foton me Trump, meqë është thënë në media se kam paguar dhjetra mijëra dollarës. Më pyetën për partneren time, megjithëse unë nuk bashkëjetoj me të. Ajo po kujdeset për familjen e saj, por meqë media shkruan se ne jetojmë bashkë, më pyetën edhe për të. Për gjithçka më kanë pyetur”, vijoi ai.