Prokuroria e Tiranës ka kërkuar konfiskimin e mbi 2.5 milionë euro pasuri të biznesmenit Ndue Gjergji dhe familjarëve të tij, i cili u vra në Laç, teksa ndodhej bashkë me miqtë e Ervis Martinaj.
Mësohet se këto pasuri ‘rrjedhin nga veprimtaria kriminale’. Në korrik të vitit të kaluar, Prokuroria kishte kërkuar sekuestrimin e pronave me vlerë 10 mln euro, e përbërë nga 11 garazhe, 18 apartamente, 1 truall, 2 njësi, 1 vilë, licencë për transport udhëtarësh, 3 shoqëri aksionere, 1 kazino dhe 9 automjete. Kurse aktualisht kërkon konfiskimin e 13 prej tyre.
Kërkesa e Prokurorisë:
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë paraqiti kërkesën për konfiskimin e të paktën 2.5 milionë euro pasuri të shtetasit N.Gj., i cili ka ndërruar jetë në vitin 2020 si pasojë e një atentati me armë zjarri dhe e familjarëve të tij, pasi u provua se lidhen dhe rrjedhin nga veprimtaria kriminale.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin pasuror nr.03, të vitit 2023, në ngarkim të këtij shtetasi, rezultoi se i ndjeri ka qenë pjesë e një grupi kriminal i cili fushë kryesore të aktivitetit të tij kriminal kishte veprën penale ‘Trafikimit të lëndëve narkotike’ parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.
Prokuroria provoi se shtetasi N.Gj., ka qenë nën hetim në Hollandë për veprën penale të ‘Pastrimit të parave’ ndërsa më parë ka qenë i arrestuar dhe i dënuar për drogë në Itali. Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar, përsa i përket pasurive të shtetasit N.Gj. dhe familjarëve të tij, rezultoi se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se 13 pasuritë e paluajtshme i kanë fituar si rezultat i veprimtarisë kriminale.
Bazuar sa më sipër, prokuroria vlerësoi se pasuritë e tij dhe familjarëve plotësojnë kriteret e parashikuara nga neni 11 i ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 ″Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë″, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm se shtetasi N. Gj, ka qenë i përfshirë në veprimtarinë kriminale të veprës penale ″Prodhim dhe shitje narkotikësh” dhe “Pastrimi i parave”.
Për këtë arsye, prokuroria kërkon konfiskimin dhe kalimin në pronësi të shtetit të pasurive të mëposhtme:
1. Apartament me sipërfaqe 87.30 m2
2. Apartament me sipërfaqe 87.30 m2
3. Apartament me sipërfaqe 87.30 m2
4. Garazh me sipërfaqe 15.00 m2
5. Garazh me sipërfaqe. 15.00 m2
6. Garazh me sipërfaqe. 15.00 m2
7. Garazh me sipërfaqe 15.00 m2
8. Apartament me sipërfaqe 617.84 m2
9. Apartament me sipërfaqe 87.30 m2
10. Njësi me sipërfaqe 45.21 m2
11. Garazh me sipërfaqe 15 m2
12. Garazh me sipërfaqe 15 m2
13. Apartament me sipërfaqe 99.70 m2