Shqipëria do të blejë një pronë në Bruksel që do të shërbejë si seli e Misionit shqiptar pranë Bashkimit Europian. Vendimi përcakton se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, do të realizojnë procedurën e blerjes me një fond limit jo më shumë se 240 milionë lekë.
“Kreu i Misionit identifikon pasuritë e paluajtshme, të llojit ndërtesë dhe truall, të cilat kanë hapësirën e nevojshme për ushtrimin funksional dhe në perspektivë të aktivitetit diplomatik e konsullor, një vendndodhje dhe distancë të përshtatshme nga institucionet qendrore të Bashkimit Evropian dhe garantojnë sigurinë fizike, kanë status të lirë nga çdo ngarkesë apo barrë hipotekore, si dhe nuk kanë kufizime juridike me natyrë përmbarimore dhe gjyqësore dhe propozon jo më pak se 3 (tri) oferta pranë Komisionit” shkruhet në vendim.
Për vlerësimin e ofertave do të ngrihet një Komision i Posaçëm, i kryesuar nga zëvendësministri përgjegjës për punët e jashtme, në përbërje të të cilit ka përfaqësues në nivel drejtues nga:
a) ministria përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore;
b) Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar;
c) Avokatura e Shtetit;
ç) Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik.
Ky vendim vjen në një kohë kur Shqipëria ka avancuar në procesin e anëtarësimit në BE, duke nisur procesin intensiv të negociatave të kapitujve integrues.