Një atentat me armë ka ndodhur në Berat, ku dy persona me makinë pa targa kanë qëlluar dy persona që lëviznin me një makinë tjetër.
Dy shënjestrat e atentatit kanë qenë Antonio Merkaj dhe Apostol Dhëmbi. Nga një automjet, tip Ford i zi, është qëlluar në drejtim të tyre, ku ndërkohë Merkaj dhe Dhëmbi janë larguar me vrap nga karburanti në drejtim të spitalit, teksa makina i ka ndjekur nga prapa duke qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të tyre.
Në vendngjarje janë gjetur 4-5 gëzhoja pistolete, teksa mësohet se autorët e atentatit janë dy vëllezërit Fatjon dhe Marko Maloku, banues në lagjen “Donika Kastrioti” në Berat. Thuhet se konflikti mes dy grupeve ka iniciuar në shtetin grek, për prishje pazaresh droge mes tyre.
Njoftimi i policisë:
Shtetasit A. M., dhe A. Dh, banues në Berat, kanë njoftuar Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat se dy persona që lëviznin me një automjet kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre, në lagjen “Donika Kastrioti”, në afërsi të spitalit. Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.
Pas marrjes së njoftimit shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe si rezultat i reagimit të shpejtë dhe punës paraprake hetimore është bërë e mundur identifikimin i dy autorëve që kanë qëlluar me armë zjarri por për arsye hetimi nuk mund të bëjmë me dije gjeneralitetet e tyre.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe vijojnë kontrollin në zonë për kapjen e tyre.
Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.