Çmimi i energjisë elektrike gjatë vitit 2025 do të ulet për të gjithë shqiptarët”. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë konfirmoi se do të ketë një rishikim të tarifave, bazuar në performancën e kompanive publike të energjisë, sikurse u paralajmërua pak kohë më parë.
“Energjia ka bërë hapa të qenësishëm gjatë vitit 2024, për herë të parë ndërmarrjet tona kanë arritur që të kenë bilance pozitive, të mirëmenaxhuara.
Të mirëmenaxhuara në aspektin teknik, duke ofruar kushte më të mira të shpërndarjes energjetike apo të transmetimit, por nga ana tjetër, ka dhe një arritje shumë të rëndësishme gjatë vitit 2024, stabilizim i financave të këtyre ekonomive, duke na dhënë mundësi që gjatë vitit 2025 të ulim çmimin e energjisë elektrike për të gjithë shqiptarët”, – tha ministrja.
Ajo u ndal dhe te ulja e humbjeve të energjisë në rrjetin elektrik, që gjithashtu do të ndikojë në uljen e çmimit të energjisë.
“Gjithashtu, kemi ulur humbjet teknike në nivelin 17.93, duke krijuar të ardhura plus për kompanitë dhe duke mundësuar kështu uljen e këtij çmimi të energjisë. Gjithashtu, kemi arritur që gjatë sezonit veror të përballojmë flukse dhe kërkesë për energji elektrike të paparashikuar dhe të paparë ndonjëherë.
Megjithatë, sistemi ka punuar më së miri falë punës së jashtëzakonshme që kanë bërë të gjithë punonjësit e OSHEE-së, apo edhe ato të OST-së”, – vijoi ministrja.
Vendimi final për uljen e çmimit të energjisë elektrike merret nga Enti Rregullator i Energjisë, pas aplikimit që duhet të depozitojë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike./ Scan