Në renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha në vend, sipas të ardhurave, mbizotërojnë aksionerët e grupmoshës mbi 50 vjeç, që e kanë nisur biznesin kryesisht në vitet ‘90-2000. Nga 710 aksionerë me shtetësi shqiptare që zotërojnë të paktën 10% të aksioneve në 500 shoqëritë më të mëdha në vend me kapital shqiptar sipas të ardhurave, vetëm 7.2% ishin deri në 35 vjeç, mosha që konsiderohen biologjikisht të rinj. Pse të rinjtë nuk po arrijnë të çajnë në mjedisin e sotëm të biznesit, komplikimet për të ardhmen.
Të rinjtë e sotëm janë rritur ndryshe nga gjeneratat e mëparshme. Ata janë brezi i smartphone-ve, komunikimit direkt dhe rrjeteve sociale, që janë një pjesë thelbësore e jetës së përditshme. Teknologjia ka ndikuar mënyrën se si janë rritur, si ndërveprojnë, si punojnë, apo dhe si i fitojnë të ardhurat.
Sidomos gjenerata e ashtuquajtur i “Millennials” (të lindur midis viteve 1981 dhe 1996) njihen në botë si brezi që është pasuruar më shpejt dhe ka blerë më shumë pasuri të paluajtshme, pikërisht se kanë shfrytëzuar me mençuri avantazhet që u ka dhënë teknologjia dhe alternativat e shumta të investimit.
“Knight Frank”, një institut kërkimor për pasuritë e paluajtshme, gjeti së fundmi se brezi “Millennials” ishte në rrugën e duhur për t’u bërë gjenerata më e pasur në histori.
Studimi gjeti se 75% e “Millennials” presin që pasuria e tyre të rritet në vitin 2024, kundrejt 53% të gjeneratës së bumit të lindjeve (ata të lindur midis 1946 dhe 1964), 56% në gjeneratën X (1965-1980) dhe 69% në brezin e ri Z (të lindur nga viti 1997).
Mark Zuckerberg (sot 40 vjeç), krijuesi i Facebook, më i pasuri i brezit “Millennials” në botë, sipas revistës “Forbes”, është një nga të shumtit e asaj gjenerate që shfrytëzuan mundësitë dhe konsiderohen si milionerë të bërë vetë.
Po, kjo nuk ka ndodhur te ne. Në Shqipëri, për vetë zhvillimet historike të tranzicionit, rezulton se shanset më të mëdha për t’u pasuruar nuk i kanë pasur të rinjtë e sotëm, por ata që ishin të rinj në vitet 1990-2000. “Revista Monitor” ka analizuar të dhënat e 500 kompanive më të mëdha në vend sipas të ardhurave për vitin 2023, sipas grupmoshës së aksionerëve.
Nga 710 aksionerë me shtetësi shqiptare, që zotërojnë të paktën 10% të aksioneve në 500 shoqëritë më të mëdha në vend me kapital shqiptar sipas të ardhurave, vetëm 7.2% ishin deri në 35 vjeç, mosha që konsiderohen biologjikisht të rinj.
Rreth 14.3% e aksionerëve janë të grupmoshës nga 36 deri në 45 vjeç.
12% janë të grupmoshës nga 46 deri në 50 vjeç.
Grupmosha që dominon në sipërmarrjet shqiptare është mbi 50 vjeç.
Gati 67% e aksionerëve të sipërmarrjeve VIP në vend janë mbi 51 vjeç, me grupmoshën që dominon midis 51-60 vjeç, me 40% të sipërmarrësve (27% janë mbi 60 vjeç).
Të gjithë aksionerët që janë deri në 25 vjeç i kanë ato të trashëguara nga familja e tyre, e konstatuar kjo nëpërmjet mbiemrave të njëjtë në strukturën e aksionerëve.
Dominimi i brezit mbi 50 vjeç
Gati 70% e 500 sipërmarrësve më të mëdhenj në vend (67%) me kapital shqiptar sot u përkasin të lindurve përpara vitit 1970.
Ata janë brezi që në vitet 1990-2000, kur nisi dhe mori vrull transformimi nga socializmi në ekonominë e tregut ishin midis 22-35 vjeç. Dikush kishte lidhje nga puna në të kaluarën, dikush mbeti pa punë për shkak të reformave e nisi një biznes.
Një tjetër kapi momentin dhe futi shërbime apo produkte, për të cilat konsumatorët kishin nevojë. Tregu ishte i uritur për gjithçka. Në atë kohë kishte vend për të gjithë. Shumë i hynë tregtisë, një biznes që e shumëfishonte kthimin shpejt. Jo të gjithë mbijetuan, por bizneset dhe sipërmarrësit më të mëdhenj datojnë nga ajo periudhë.
Brezi, që i përket kryesisht gjeneratës së bumit të lindjeve dhe asaj “X” (pas vitit 1946 deri afër vitit 1980) u rritën dhe u arsimuan në pjesën më të madhe në kohën e socializmit dhe kanë filluar punën po në atë periudhë. Ata ia dolën të përshtaten shpejt dhe në fillim të viteve ’90, duke shfrytëzuar, pa dyshim, dhe mundësitë që u dha tregu, kryesisht në tregti e ndërtim. Disa nuk ia dolën, të tjerë arritën të rriteshin, të përshtateshin e diversifikoheshin, duke krijuar sot disa nga konglomeratet më të mëdha në ekonomi.
Në dekadat në vijim, sipërmarrësit shqiptarë do të ndeshen pa dyshim me sfidat e kalimit të trashëgimisë nga brezi në brez. Disa e kanë të vështirë të bindin fëmijët që janë shkolluar e punojnë jashtë që të kthehen.
Të tjerë ia kanë dalë t’i angazhojnë gradualisht në bizneset e tyre, por sërish ngurrojnë t’u kalojnë aksionet për të mos nxitur parazitizmin (një përqasje kjo që njihet dhe në botë). Historia në botë ka treguar që skema familjare është një model pozitiv në menaxhim, por sfida më e madhe është zgjerimi i biznesit, që do të kërkonte daljen përtej skemës familjare./ Monitor