Ish kryeministri Berisha ka mbërritur në SPAK, për të zbatuar kështu masën “detyrim paraqitje”, që Apeli i GJKKO vendosi për të javën e kaluar.
Në ambientet jashtë SPAK janë mbledhur mbështetësit e tij, teksa ka edhe forca të shtuara policie.
Berisha është marrë i pandehur për dosjen ‘Partizani’, për të cilën akuzohet se i hapi rrugë privatizimit të ish kompleksit sportiv ‘Partizani’ që u pasua me ndërtimin e 19 kullave, ku përfitues është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i pandehur gjithashtu.
Sipas vendimit të gjyqtarit Engert Pëllumbi, Berisha duhet të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të muajit.
Pasi doli nga ambientet e SPAK, ai ka sulmuar dhe kreun e SPAK, Altin Dumani.
“Siç e dini, organizata kriminale kërkojnë nga gjykatësi kukullë që Sali Berishës ti rikthehet arresti në shtëpi. Për shkak se prish provat, jo se kanë ndonjë fakt, por ka sulmuar gjykatës dhe prokurorë. Sali Berisha i ka sulmuar dhe do ti sulmojë të gjithë ata që bashkëpunojnë me krimin dhe kurrë njerëz të ndershëm.
Sali Berisha do faktojë se si Altin Dumani fle me dosje krimi. Se si ai deklaron që e ka blerë apartamentin dhe ekspertëve të tij i ka thënë që ta vlerësojnë si të vjetër. Altin Dumani është një kriminel se ka mbyllur të gjitha dosjet e krimit elektoral”, tha Berisha.