Dritan Rexhepi, një nga shqiptarët më të kërkuar ndërkombëtarisht, pritet të ekstradohet sot nga Turqia në Shqipëri.
Rexhepi ishte arrestuar më herët në vilën ku jetonte në Beylikduzu në Stamboll, teksa përdorte një pasaportë të falsifikuar kolumbiane me emrin Benjamin Omar Perez Garcia.
Ai njihet për rolin e tij si porositës në rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës në janar të vitit 2020. Rexhepi gjithashtu një figurë e njohur për arratisjet nga burgjet shqiptare, italiane dhe belge. Në vitin 2006, ai u dënua në mungesë me 25 vite burg për vrasjen e dy policëve, Arben Keçi dhe Durim Kasmi, në Fushë-Krujë në vitin 1998.
Dritan Rexhepi, i njohur gjithashtu si Gramos Rexhepi, është cilësuar si një ndër kriminelët më të rrezikshëm shqiptarë dhe lideri i një karteli të fuqishëm droge që ka trafikuar kokainë me vlerë qindra milionë euro nga Amerika e Jugut në Evropë. Organizata e tij kriminale, e njohur si “Kompania Bello”, përfshinte 14 grupe shqiptare të angazhuara në trafikun ndërkombëtar të drogës. Emri i Rexhepit lidhet gjithashtu me rrëmbimin e Jan Prengës, i cili mendohet të ketë ndodhur si pasojë e një sasie të vjedhur kokaine në Angli nga vëllai i tij, Astrit Prenga.
Ndaj tij ka tre ‘alarme të kuqe’ nga Interpol, pasi ai ka tre arratisje të regjistruara: në vitin 2006, nga Policia e Durrësit, në Shqipëri, në 2011, nga burgu i Vogheras, Itali, dhe nga burgu Merksplas, Belgjikë, në të njëjtin vit.