Është nënshkruar marrëveshja midis Bankës së Shqipërisë, Bankës së Italisë dhe 3 bankave qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor për krijimin e një sistemi pagesash të shpejta. Banka e Italisë do të ofrojë për vendet e Ballkanit Perëndimor një sistem pagesash të shpejta bazuar në një kopje të shërbimit TIPS, e cila është platforma evropiane për shlyerjen e pagesave në kohë reale.
Puna për këtë platformë do të nisë në javët e ardhshme, ndërsa pritet të jetë funksionale brenda 18 muajsh.
Pagesat e shpejta kryhen nëpërmjet një sistemi pagesash që ofron shërbim të vazhdueshëm 24 orë në ditë/365 ditë në vit dhe mundëson realizimin e tyre në pak sekonda. Me transfertat e rregullta bankare zakonisht duhet të paktën një ditë pune që paratë të arrijnë në llogarinë bankare të marrësit, ndërsa me pagesat e shpejta, transferimi i parave është pothuajse i menjëhershëm midis llogarive bankare.
Përdorimi i pagesave të shpejta mund t’i kursejë qytetarëve, bizneseve, aktorëve të tregut dhe ekonomisë shqiptare, rreth 35 – 40 miliardë lekë.
Gjatë vitit të kaluar, Shqipëria nisi një projekt-pilot për pagesat e shpejta elektronike në tre qytete, Tiranë, Dibër dhe Përmet, ku 300 individë realizuan pagesa përmes aplikacioneve të ofruara nga bankat dhe institucionet e parasë elektronike në bizneset e vogla dhe të mesme për një periudhë 4 mujore pranë zonave ku banojnë.
Përmes sistemit të pagesave të shpejta (instant payment), qytetarët mund të kryejnë pagesa në markete dhe biznese të tjera përmes një kod QR. Një individ mund ta skanojë kodin nëpërmjet telefonit të tij dhe të kryejë menjëherë pagesën, pa qenë nevoja që të nxjerrë kartën dhe pa përdorur një terminal POS./ Scan