Mbrëmjen e sotme, në autostradën Vlorë-Fier një 30-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri në afërsi të fshatit Novoselë.
Kristian Marku, viktimë e atentatit po lëvizte me automjetin tip “Volkswagen” kur drejt tij u qëllua pranë një vendndalimi të autostradës, ku dhe janë gjetur 9 gëzhoja. Gjithashtu një gëzhojë e 10 është gjetur në makinën e viktimës, e cila ishte e ndaluar rreth 1 kilometra poshtë vendpushimit.
Dyshohet se kanë qenë 3 autorë dhe kanë përdorur një makinë tip “Benz”, e cila u gjet e djegur rreth 2 kilometra larg vendit të krimit. Ajo kishte targa të vjedhura dhe brenda saj nuk është gjetur arma e krimit.
“Rreth orës 18:15, në afërsi të fshatit Novoselë, në autostradën Fier-Vlorë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti, me drejtues shtetasin K. M., 30 vjeç, i cili ka humbur jetën“,- njoftoi policia.
Viktima e atentatit, Kristian Marku alias Kristi Bardhi është nipi i Martin Bardhit, ky i fundit i vrarë në Rrëshen në 2023. Marku gjithashtu ishte i dyshuar si autor i ngjarjes së datës 26 mars 2023 të ndodhur në Rrëshen, ku pati të shtëna me armë zjarri në drejtim të Saimir Reçit.