Bumi i turizmit shqiptar ka qenë kryefjala e kohëve të fundit për shkak të rekordeve që janë regjistruar muaj pas muaji, por edhe për shkak të ndikimit pozitiv që ka patur në ekonomi dhe pritet të ketë akoma në vitin 2025. “Scan Intel” ka kryer një sërë analizash mbi ndryshimet që ka shënuar turizmi, duke përfshirë rritjen e numrit të hyrjeve, vendet e origjinës apo edhe netë qëndrimet. Nga të dhënat e përpunuara vihet re se një numër i lartë turistësh që kanë vizituar Shqipërinë janë sidomos nga Kosova dhe Italia, vende që për 11-mujorin kanë një peshë prej gati 50%, pra gjysma e hyrjeve nga të huajt. Ajo që vihet re ndër të tjera është rritja sidomos e turistëve nga Italia.
Sipas shifrave referuar “Institutit të Staistikave” Shqipërinë e kanë vizituar, gjatë periudhës Janar-Nëntor të vitit 2024, rreth 1.2 milionë italianë, ndërkohë që në vitin 2023 regjistroheshin gjithsej rreth 951 mijë hyrje. Pesha e hyrjeve nga Italia ndaj totalit sa i përket kësaj periudhe vlerësohe në 11%.
Nga ana tjetër, sipas të dhënave të “Bankës së Shqipërisë” edhe shpenzimet e turistëve kanë prekur rekord, ku për periudhën Janar-Shtator vlerësohen në 3.85 mld euro.
Sipas një projeksioni të thjeshtë, bazuar në shifrat e nëntëmujorit të vitit 2024, mund të gjejmë se sa kanë shpenzuar turistët italianë në Shqipëri. Me një përfaqësim prej rreth 11% të totalit, turistët nga Italia, përafërsisht, ku çdo turist vlerësohet të ketë shpenzuar një shifër mesatare, kanë shpenzuar rreth 424 milionë euro gjatë vitit të kaluar. Pra, në rast se do të kemi të plota shifrat e shpenzimeve për të gjithë vitin, “fatura” e turistëve italiane, mund të jetë mbi këtë shifër. Ndërkohë, shpenzimi për turist vlerësohet në rreth €423 përgjatë nëntëmujorit.
Por sa shpenzuan vizitorët nga rajoni në Shqipëri?
Hyrjet nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi kanë një peshë ndaj totalit prej 15%. Shpenzimet e tyre përgjatë nëntë muajve përllogariten në 578 milionë euro, ndërkohë sa i përket “faturës” së turistëve nga Kosova vlerësohet në rreth 1.5 miliardë euro.
Theksojmë se këto janë rezultatet sipas një projeksioni të thjeshtë, bazuar në shifrat e nëntëmujorit të vitit 2024 sa i përket mesatares së shpenzimeve./ Scan