Reshjet e dendura të shiut dhe dëborës kanë shkaktuar probleme serioze në qarkullimin rrugor në disa akse të vendit, duke përfshirë edhe zona ku lëvizja është bërë tejet e vështirë.
Në rrugën kombëtare Përrenjas-Qafë Thanë ka prani dëbore dhe ngricash. Aktualisht, rruga është e kalueshme, por vetëm për mjetet e pajisura me zinxhirë dhe goma dimërore, pasi policia ndalon qarkullimin e automjeteve të papërshtatura për kushtet dimërore.
Nga ana tjetër, aksi Librazhd-Peshkopi është pothuajse i pakalueshëm për shkak të trashësisë së dëborës që ka kaluar 50 centimetra dhe ngricave të shumta. Temperaturat në këtë zonë kanë rënë në minus, duke përkeqësuar më tej situatën.
Në disa fshatra të bashkive Përrenjas dhe Librazhd, rrugët janë totalisht të bllokuara, ndërsa në rrethin e Bulqizës është pezulluar procesi mësimor për shkak të motit ekstrem dhe bllokimit të rrugëve. Në qytetin e Bulqizës, dëbora ka arritur një trashësi prej 40 cm, duke çuar në mbylljen e shumë bizneseve.
Edhe në Peshkopi situata mbetet e vështirë, me trashësi dëbore prej 35 cm në qytet dhe deri në 70 cm në zonat më të thella.
Bypass-i i Murrizit vijon të jetë i mbyllur, ndërsa mjetet borëpastruese kanë punuar për hapjen dhe kriposjen e rrugës, e cila pritet të hapet gjatë orëve të mesditës.