Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, që mat rritjen e çmimeve sipas metodologjisë së ‘Agjencisë Europiane të Statistikave’, në muajin Dhjetor të vitit 2024 regjistrohet në 2.4%. Nga të dhënat rikujtojmë se inflacioni po për të njejtin muaj të këtij viti sipas metodologjisë së ‘INSTAT’ është 2.1%. Në të dyja rastet inflacioni përllogaritet nga i njëjti institucion, por ka diferenca të vogla për shkak të peshës që i jepet secilit grup në normën e inflacionit. Edhe në rastin e matjes sipas metodës europiane shohim se çmimet në muajin e fundit të viti janë më të larta se një muaj më parë, kjo si pasojë e ndikimit të festave. Ndërkohë, të dhënat tregojnë se inflacioni për vitin 2024, sipas matjes së EUROSTAT, vlerësohet në 2.6%, nga 2.2% që janë vlerësimet e “Institutit të Statistikave”.
Krahasuar me vendet e tjera të Europës, Shqipëria renditet larg kufirit mesatar të Bashkimit Europian. Këtë e pohojnë edhe shifrat e këtij treguesi për muajin Dhjetor, ku rezulton se mesatarja e rritjes së çmimeve në Europë për të njëjtin muaj regjistrohet në 2.7%.
Ndërkohë, nga ana tjetër, vendet me normën më të lartë të çmimeve në Europë përgjatë Dhjetorit të vitit 2024 janë Maqedonia e Veriut me 5.7%, Rumania me 5.5% Hungaria me 4.8%, Kroacia dhe Serbia me 4.5% secila dhe Belgjika me me 4.4%. Pra, në nivel rajoni, më mirë së Shqipëria paraqitet Kosova me një normë të rritjes së çmimeve deri në 1.1%, ndërkohë në Malin e Zi inflacioni vlerësohet në 2.6%. Të dhënat tregojnë se në pjesën më të madhe të vendeve të marra në analizë kemi një rritje të normës së inflacionit përgjatë Dhjetorit të vitit të shkuar.
Nëse do të marim në analizë inflacionin në vendet e Europës për të gjithë vitin 2024, të dhënat tregojnë se mesatarja e Bashkimit Europian regjistrohet në 2.6%. Pra, mund të themi se në vitin e kaluar çmimet në Shqipëri janë rritur me të njejtën normë si në vendet e unionit.
Ndërkohë, mes vende të marra në analizë, inflacionin më të lartë për vitin 2024 e regjistrojnë vende si Rumania me 5.9%, pasuar nga Serbia me 4.8%, Islanda me 4.5%, Belgjika dhe Maqedonia e Veriut me 4.3% secila. Norma e rritjes së çmimeve në Malin e Zi për vitin 2024 vlerësohet në 3.7%, ndërsa në Kosovë rreth 1.6%./ Scan