Një grup kriminal i cili trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut në Itali dhe shtete të tjera të Europës është shkatërruar nga autoritetet italiane në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe SPAK.
Pesë persona janë arrestuar në Shqipëri, mes 20 masave të sigurisë në total të vendosur nga gjykata italiane në Brescia, 12 prej të cilave arrest me burg.
‘Deri tani, në kuadër të këtij megaoperacioni janë vënë në pranga 12 shtetas dhe po hetohen 8 të tjerë. Lokalizohen në Shqipëri dhe vihen në pranga, me qëllim ekstradimin, 5 shtetas shqiptarë, të akuzuar si pjesëtarë të grupit’- deklaron policia.
Mediat në Itali shkruajnë se vëllezërit Çela drejtonin operacionet e importimit dhe tregtimit të lëndës narkotike dhe grumbullimin e të ardhurave, të cilat dërgoheshin më pas në Shqipëri duke shfrytëzuar bashkëpunimin e drejtuesve të autobusëve që operonin linjën Brescia-Elbasan.