AFP ka treguar se Rama mund të heqë dorë nga mbyllja e TikTok-ut, pas takimit me një zyrtare të kësaj platforme. Agjencia Franceze e Lajmeve thekson se kthesa e Ramës vjen pikërisht pas vendimit të presidentit të ri amerikan, Donald Trump për të lejuar kompaninë që të operojë në SHBA.
“Kthesa e dukshme e Ramës erdhi dy ditë pasi presidenti i SHBA, Donald Trump, nënshkroi një dekret për pezullimin për 75 ditë të ndalimit të TikTok, pronarët e të cilit janë urdhëruar nga Kongresi amerikan të shesin platformën ose ajo do të ndalohet përfundimisht në këtë vend”,- shkruan AFP.
Artikulli i AFP:
Kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili në dhjetor njoftoi një ndalim një vjeçar të TikTok, tha këtë javë se kishte zhvilluar bisedime “të hapura dhe konstruktive” me platformën e mediave sociale. Rama kishte thënë për platformën në pronësi kineze se Tirana do ta “përzinte këtë bandit nga lagjja jonë” kur shpalli ndalimin, që do të zgjasë gjithë vitin 2025. Ai gjithashtu njoftoi se qeveria do të nisë programe për t’i “shërbyer arsimit të studentëve.
Por pas diskutimeve me Christine Grahn, një nga zyrtarët më të lartë të TikTok në Evropë, ai sugjeroi që një ndryshim i politikës ishte i mundur. “Ne diskutuam për shqetësimet që na shtynë të pezullojmë përkohësisht aksesin në platformë në Shqipëri”, tha Rama në llogarinë e tij në Facebook të martën.
Ishte “një diskutim plotësisht i hapur dhe konstruktiv, gjatë të cilit vendosëm disa momente historike bashkëpunimi për javët dhe muajt e ardhshëm… përndryshe do të jemi të detyruar të ruajmë mbylljen e aksesit në platformë, “shtoi Rama, i cili u takua me Grahn në Davos. Burimet e TikTok treguan të mërkurën për AFP se “ishte një takim konstruktiv me marrëveshje për të punuar me qeverinë për të adresuar çdo shqetësim”.
Bllokimi i rrjetit të diskutueshëm social erdhi më pak se një muaj pasi një nxënës 14-vjeçar u vra dhe një tjetër u plagos në një përleshje pranë një shkolle në Tiranë. Përleshja ishte zhvilluar nga një konfrontim online në rrjetet sociale. Vrasja ndezi një debat në vend mes prindërve, psikologëve dhe institucioneve arsimore për ndikimin e rrjeteve sociale tek të rinjtë.
“Në Kinë, TikTok promovon sesi studentët mund të ndjekin kurse, si të mbrojnë natyrën, si të ruajnë traditat”, tha Rama në dhjetor. “Por në TikTok jashtë Kinës ne shohim vetëm llum dhe baltë. Pse na duhet kjo?” Pasi TikTok kërkoi një shpjegim për ndalimin, Rama u përgjigj se platforma “nuk kishte arsye për të kërkuar sqarime nga Shqipëria”. Kthesa e dukshme e Ramës erdhi dy ditë pasi Presidenti i SHBA Donald Trump nënshkroi një dekret pezullimi.
Kryeministri Edi Rama në 21 dhjetor, njoftoi mbylljen e platformës si pjesë e një plani për rritjen e sigurisë në shkolla. Rama tha se vendimi erdhi pas një muaj konsultimesh mes zyrtarëve të arsimit me prindërit pas vrasjes me thikë të 14-vjeçarit Martin Cani, nxënës i shkollës ‘Fan Noli’, gjatë një konflikti me një tjetër nxënës Mario Përlleshi, ndodhur më 18 nëntor 2024. Sa i përket vendimit, TikTok ka deklaruar se nuk ka prova që incidentet e dhunshme të përmendura janë të lidhura drejtpërdrejt me platformën e tyre. Pa prova konkrete që vërtetojnë se TikTok është shkaku kryesor i problemeve të identifikuara, ndalimi mund të konsiderohet i pabazuar dhe arbitrar.