Arti, si një fushë me një rol të jashtëzakonshëm në emancipimin e një vendi, ka një fuqi unike për të transformuar mendjen dhe shpirtin tonë. Duke e konsideruar artin si burim frymëzimi, Credins Bank, edhe për këtë sezon të ri të vitit, do të vazhdojë të ndjekë një strategji të mirëfilltë në promovimin dhe mbështetjen e aktiviteteve kulturore dhe artistike. Kjo, me dëshirën për t’i dhënë jo thjesht hapësirë artistëve të afirmuar dhe talenteve të reja, por mbi të gjitha për të inspiruar një komunitet më të zhvilluar dhe më të kulturuar.
Me çeljen e ekspozitës më të re, nën titullin “Ngjyrat e Dimrit”, nga mjeshtri i madh i artit figurativ Helidon Haliti, në hollin e drejtorisë qendrore të Credins Bank, klientët e bankës do të kenë mundësinë të eksplorojnë bukuritë e punimeve të artistit të madh. Piktori Haliti, pas një suksesi absolut, rikthehet sërish në Credins Bank me punime të reja, të dimensioneve të ndryshme, të punuara në vaj kanavacë, të cilat do të jenë të ekspozuara deri në fund të muajit shkurt. Pikturat reflektojnë individualitetin artistik të Halitit dhe bukuritë natyrore të Shqipërisë. Çdo vepër është një udhëtim nëpër peizazhe mahnitëse dhe jo vetëm, duke sjellë kështu larmi ngjyrash. Punimet kanë një dominim të elegancës, thjeshtësisë dhe qartësisë, ku evidentohen elemente folklorike, historike apo edhe të traditave kulturore të vendit tonë.
Arsyeja e përzgjedhjes për të dytën herë të ekspozimit të veprave të Halitit është karriera e tij e pasur 30-vjeçare artistike, duke e renditur tashmë emrin e tij mes artistëve më të mirë dhe më të spikatur të artit figurativ. Me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare të fituara, veprat e tij janë pjesë edhe e koleksioneve private apo publike, duke e bërë artistin një figurë të dashur dhe të respektuar në artin vizual shqiptar.
Për Credins Bank, një nga arsyet kryesore të mbështetjes së vazhdueshme të iniciativave të ndryshme të aktiviteteve artistike është jo vetëm thjesht promovimi i saj, por është mbi të gjitha një obligim moral i përgjegjësisë korporative të bankës për të ruajtur trashëgiminë dhe identitetin kulturor shqiptar. Duke mbështetur artistët, ngjarjet dhe eventet kulturore, Credins përpiqet të ndihmojë, si në forcimin e lidhjeve më të forta me komunitetin, por edhe në promovimin e diversitetit kulturor. Kjo qasje e realizimit të eventeve kulturore në ambientet e Credins është gjithashtu synimi i bankës për të krijuar një atmosferë dhe ambient sa më tërheqës dhe motivues për punonjësit e saj, por njëherazi edhe një klimë pozitive për vizitorët dhe klientët e bankës.
Arti në Credins Bank / Lexo më shumë