Tregu i punës vijon të mbetet në kërkim të punonjësve. Rekrutimet e punonjësve të huaj u mendua si zgjidhje për kërkesat e sipërmarrjeve. E kryesisht ishin punonjësit nga Nepali e Bangladeshi ata të cilët u panë si zgjidhje momentale dhe jo vetëm, por kryesisht në periudhat e fluksit.
Por, për ta, Shqipëria u kthye në trampolinë për të emigruar në vendet europiane, e kësisoj duke mos i dhënë zgjidhje hendekut të mungesës së punonjësve.
Së fundmi, një tjetër shteg për të tërhequr punonjës, është Myanmar. Ndryshe nga rekrutimet e punonjësve të huaj nga Nepali, Bangladeshi, Sri Lanka etj., punonjësit nga Myanmar kanë rendiment më të lartë në punë.
Sipas të dhënave të agjencive rekrutuese, numri i punonjësve nga Myanmar ka arritur në rreth 400 dhe se deri më tani në krahasim me punonjësit indianë, nuk kanë paraqitur problematika në punë apo në sjellje por kanë dhënë rezultatet e kërkuara në punë.
Gjithashtu një fakt i rëndësishëm pse sipërmarrjet po shafaqin interes për këta punonjës, është se nuk janë larguar dhe se nuk po e shohin Shqipërinë si mundësi largimi drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Por, sektorët që kanë shfaqur interes për punonjësit nga Myanmar janë kryesisht fasoneria, bujqësia, strukturat hoteliere etj./ Scan