200 km rrugë kombëtare dhe 20 qytete me fokus qarkullimin rrugor do të monitorohen me kamera, me qëllim identifikimin e shkeljeve dhe shkelësit. Gjatë aktivitetit ku u prezantuan gjetjet e anketimit për matjen e perceptimit qytetar mbi nivelin e sigurisë në vend dhe besimin te Policia e Shtetit, kryeministri Edi Rama bëri me dije detajet e projektit, që sipas tij do i vijë në ndihmë punonjësve të policisë.
“Një sistem i bazuar tek fjala e fundit e teknologjisë digjitale, i pasuruar edhe me Inteligjencë Artificiale që do t’i japë mundësi në kohë reale Policisë së Shtetit, përmes sallave të monitorimit të të gjithë qyteteve që do ta kenë këtë sistem fillimisht. Do të fillojë me 20 qytete në mos gabohem, ashtu sikundër së shpejti fillon dhe investimi që i njëjti sistem të hyjë në rrugët kombëtare. Do të fillojë me 200 kilometrat e para dhe ai sistem do të japë mundësinë që çdo ankesë e çdo qytetari të jetë e verifikueshme në kohë reale, edhe kur qytetari ankohet me të drejtë, dhe kur qytetari se ka dhe rasti që bën një telefonatë për të nxjerrë një inat me një komshi etj etj por këto janë pjesë e jetës. Sistemi verifikon jo thjesht me fotografi të përgjithshme por verifikon me personin, emrin, mbiemrin dhe të gjithë kartelën e tij në aspektin e precedentëve penalë”, – u shpreh kryeministri.
Rama tha se tashmë është siguruar edhe financimi.
“Ky është një projekt i jashtëzakonshëm që më në fund e kemi garantuar edhe si financim dhe në bashkëpunim me partnerët tanë të Emirateve të Bashkuara do të fillojmë ta implementojmë”, – tha ai.
Ndërkaq, sikurse është bërë e ditur më herët monitorimi i 200 kilometrave të para përfshin aksin rrugor Tiranë-Elbasan, të gjithë aksin nga Tirana deri në Vlorë, si dhe segmentin Vorë – aeroporti “Nënë Tereza”./ Scan