Gjatë vitit të kaluar, rreth 880 mijë pasagjerë udhëtuan mes aeroportit të Rinasit dhe atij të Londrës. Sipas të dhënave, kryeqyteti britanik u rendit i pari për fluksin e pasagjerëve që udhëtuan me transport ajror.
Në vend të dytë ndodhet aeroporti i Bergamos, ku rreth 700 mijë pasagjerë, shqiptarë dhe të huaj, zgjodhën këtë itinirar ajror. Një faktor kyç në këtë volum udhëtimesh, ishte zhvillimi i turizmit sezonal dhe atij dentar, si dhe prania e madhe e emigrantëve shqiptarë në Itali. Si rezultat, shkëmbimet mes aeroportit të Tiranës dhe atyre italiane regjistruan shifra rekord vitin e kaluar.
Roma, Bologna, Milano, Treviso dhe Pisa së bashku numëruan një total prej 2.2 milionë pasagjerësh që udhëtuan mes Shqipërisë dhe Italisë.
Ndërkohë, Vjena u shfaq si një destinacion turistik i rëndësishëm, duke regjistruar rreth 400 mijë pasagjerë, kryesisht shqiptarë, që udhëtuan gjatë vitit 2024.
Në fund, Stambolli, një tjetër nyje kyçe e transportit ajror, regjistroi një fluks të konsiderueshëm. Në total, mes aeroportit të Rinasit dhe kryeqytetit turk udhëtuan 390 mijë pasagjerë, duke e bërë këtë një nga rrugët më të frekuentuara ajrore për shqiptarët./ Scan