Një vendim i ri i qeverisë zvicerane ka tronditur jo pak Shqipërinë, pasi e ka pozicionuar atë në të njëjtin grup me Bangladeshin dhe Zambian, duke u përjashtuar nga programet e ndihmës për zhvillim. Ministria e Jashtme e Zvicrës ka njoftuar se vendi ka vendosur të ndalë gradualisht ndihmat e saj për këto tre shtete, duke reflektuar ndryshimet e politikave buxhetore të miratuara nga parlamenti.
Sipas agjencisë zvicerane “Swiss Info”, parlamenti i vendit ka miratuar shkurtimin e 110 milionë frangave zvicerane nga buxheti i bashkëpunimit ndërkombëtar për vitin 2025 dhe një reduktim më të madh, prej 321 milionë frangash, nga plani financiar për periudhën 2026-2028. Ky vendim e bën Zvicrën më të ashpër edhe se SHBA-të sa i përket kufizimeve të ndihmës për zhvillim.
Ndërprerja e programeve të ndihmës pritet të ketë ndikime të drejtpërdrejta jo vetëm në bashkëpunimet dypalëshe, por edhe në perceptimin e pozitës së Shqipërisë në aspektin financiar. Fakti që vendi ynë është vendosur në të njëjtën kategori me Bangladeshin dhe Zambian, pa një diferencim të qartë në termat e zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit politik, ka ngritur shqetësime dhe diskutime mbi prioritetet e diplomacisë zvicerane.
Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SDC) ka deklaruar se ky vendim bazohet në tre faktorë kyç: nevojat aktuale në terren, interesat afatgjata të Zvicrës dhe vlera e shtuar e bashkëpunimit ndërkombëtar zviceran në krahasim me vendet e tjera. Kështu, programet e zhvillimit për Shqipërinë, Bangladeshin dhe Zambian do të pezullohen gradualisht deri në fund të vitit 2028.
Ky vendim ngre pikëpyetje mbi ndikimin që mund të ketë në projekte të cilat janë ende aktive. Ende mbetet e paqartë nëse ky reduktim do të prekë grantin prej 105 mijë frangash zvicerane të dhënë në maj të vitit 2022 për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, reformat dhe progresin e vendit tonë drejt standardeve evropiane./ Express