GJKKO ka pranuar gjykimin e shkurtuar për të pandehurit e dosjes “Metamorfoza”: Ismail Zeneli, Bujar Ajeti, Besmir Murtati, Adrian Cenaj, Albert Prenga dhe Dedan Gjoni.
Çështja u nda për ish-zëvendës drejtorin e policisë së Tiranës, Erzen Brecanin dhe ish efektiven e policisë, Jonida Babameto, të cilët do të gjykohen me procedurë të zakonshme.
Ish zëvendës drejtuesi i policisë Tiranë, Breçani në sallën e gjyqit u shpreh se nuk mund të pranojë të gjykohet me provat e paraqitura nga SPAK.
“Unë dua të gjykohem me procedurën e zakonshme. E njoh shumë mirë hetimin dhe në dijeninë time, ky që është pas meje, Bujar Ajeti që e njoh që kur ishim fëmijë, më pas edhe tek RENEA, në dijeninë time nuk ka qenë ky person në kërkim nga shteti shqiptar. Unë kam arsyet e mia pse unë nuk e pranoj gjykimin e shkurtuar. Bujar Ajeti ka qenë i shoqëruar disa herë, ka kaluar kufirin me pasaportë. Unë kam ndjekur kriminelët gjithë jetën time, nuk kam përse të përkrah këtë kategori tani. Nuk mund ta pranoj që unë të gjykohem me këto prova që janë paraqitur. Për akuzën e “pastrimit të parave”, as më ka shkuar në mend dhe as kam pastruar para. SPAK thotë vetë që nuk kemi mundësi financiare dhe është e vërtetë, paratë për hidrocentralin ia kemi marrë vëllait që ka 25 vite, me disa biznese”-tha Breçani.
Prokurori Vladimir Mara u shpreh: “Se Erzen Breçani ka përdorur një pin në aplikacionin Sky Ecc që më parë e ka përdorur bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani”.
Grupi i strukturuar kriminal akuzohet për “trafik ndërkombëtar droge” në disa episode, “sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, “nxjerrje e informacionit sekret”.