Banka Botërore përllogarit se në vitin 2023, të ardhurat për frymë në Shqipëri ishin 8,575 dollarë.
Të ardhurat mesatare ditore për një person në vendin tonë ishin 23.5 USD në ditë, një vlerë e përafërt me standardin e prosperitetit prej 25 USD në ditë, të përcaktuar nga Banka Botërore si një vlerë mesatare globale e jetesës dinjitoze.
Me uljen e popullsisë sipas të dhënave të Censit 2023 dhe me rritjen ekonomike rreth 4% në 2024, të ardhurat mesatare ditore të shqiptarëve e kalojnë standardin e prosperitetit. Por, nga ana tjetër, sipas të dhënave nga Banka Botërore, vendi ynë gjithashtu ka nivelin më të lartë të varfërisë në rajon.
Sipas rishikimeve të fundit të Bankës Botërore, numri i personave me të ardhura 6.7 USD në ditë (varfëria relative) do të jetë më shumë se 20% e popullsisë së vendit në 2024.
Arritja e standardeve të prosperitetit, nga njëra anë, dhe fakti që një e pesta e popullsisë jeton në varfëri, nga ana tjetër, tregojnë pabarazinë e lartë ekonomike të vendit. Teksa ekonomia po rritet, ajo nuk shpërndahet në mënyrë të drejtë. Të pasurit pasurohen më tej, ndërsa të varfrit varfërohen më shumë.
Banka Botërore përcaktoi standardin e prosperitetit (25 USD në ditë) me qëllim që të rrisë ndjeshmërinë ndaj çështjeve të shpërndarjes së rritjes ekonomike. Shtetet duhet të evidentojnë përqindjen e popullsisë që jeton poshtë këtij hendeku për të aplikuar më pas politikat e rishpërndarjes së drejtë.
Banka ndjek prosperitetin e përbashkët duke monitoruar rritjen e të ardhurave mesatare në 40% të popullsisë me të ardhura të ulëta. Standardi i prosperitetit, i vendosur në 25 dollarë në ditë (rregulluar për dallimet në barazinë e fuqisë blerëse midis vendeve), përkufizohet si faktori mesatar me të cilin të ardhurat duhen shumëzuar për të sjellë në të gjithë botën standardin e prosperitetit. Për shembull, për një person të ardhurat e të cilit janë 2.50 dollarë në ditë, ato duhet të dhjetëfishohen për të arritur standardin e prosperitetit.
Banka Botërore thekson se Shqipëria ka një potencial të pashfrytëzuar të kapitalit njerëzor, që mund të nxisë rritjen dhe zhvillimin. Vendi përballet me sfida, si migrimi, pasiviteti ekonomik dhe nënshfrytëzimi i talenteve. Vetëm mbyllja e boshllëqeve gjinore në punësim mund të çojë në rritje të PBB-së për frymë me 12% në afat të gjatë.
Mosshfrytëzimi i individëve të arsimuar po pengon gjithashtu rritjen e produktivitetit dhe kthimet nga investimet në arsim që ka bërë vendi, duke siguruar rritje të qëndrueshme./ Monitor