Samiti “Pakti i Qyteteve të Lira”; kryeministri Rama: “I paimagjinueshëm transformimi i Tiranës, tashmë një nga destinacionet kryesore të Shqipërisë për turistët”
Një fjalë përshëndetëse në samitin “Pakti i Qyteteve të Lira” që po zhvillohet për herë të parë në Tiranë, e mbajti edhe kryeministri i vendit, Edi Rama. Teksa falenderoi të gjithë të pranishmit, kryeministri tha se Tirana sot është shndërruar në një nga destinacionet kryesore të Shqipërisë për turistët. Sipas Ramës ky transformim është i jashtëzakonshëm.
“Më vjen mirë që në Tiranë, jo vetëm ofrojmë mikpritjen tonë, por edhe mundësinë e një eksperience në një kryeqytet që sot është bërë një nga destinacionet kryeqsore të Shqipërisë, gjë që nuk imagjinohej disa vite më parë. Sot Tirana është kthyer në një platformë të jashtëzakonshme të arkitekturës bashkëkohore. Ne kemi në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë për hir të së vërtetës, një numër të konsiderueshëm arkitektësh të prestigjit më të lartë ndërkombëtar. Tiranës i shkon më së miri shprehja: Lum kush të rrojë, ta shohë zonjë. Sepse do të duhet edhe ca kohë që gjithë këto projekte të kthehen nga dosje të punuara prej arkitektësh të jashtëzakonshëm në objekte të jashtëzakonshme. Megjithatë që tani ka filluar dhe duket kjo që po ndodh dhe ky është vetëm fillimi i një gjerdani goxha të lartë veprash të arkitekturës bashkëkohore. Nuk dua të flas shumë për Tiranën, sepse tjetër kush është në krye të punëve të Tiranës”, u shpreh Rama.