Qeveria ka zgjatur afatin e pasaportave dhe katave të ID që kanë skaduar për diasporën në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi që të votojnë në zgjedhjet e 11 Majit.
Lajmi u bë me dije nga Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha pas mbledhjes së qeverisë. Sipas tij janë 500 mijë ID të skaduara dhe se me zgjatjen e afatit, të gjithë shqiptarët jashtë mund të votojnë.
”Këshilli i ministrave miratoi zgjatjen e afateve të vlefshmërisë së kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. Kjo situatë do të zgjidhë ngërçin e krijuar. Janë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë që u ka skaduar dokumenti.
Me miratimin e këtij akti do kenë mundësi të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit për të ushtruar të drejtën e votës si një e drejtë kushtetuese. Të gjithë shtetasit shqiptarë do të votojnë sipas udhëzimeve të KQZ duke u regjistruar në platformën elektronike” – tha ministri i Brendshëm Hoxha.
Afati për zgjatjen e vlefshmërisë është 31 maj 2025./Scan