Qeveria po merr masa për ruajtjen e fondit të rrënjëve të ullirit nëpërmjet mekanizmit të zhvendosjes së tyre në rastet kur bazuar në instrumentet e planifikimit dhe zhvillimit të territorit lejes së ndërtimit, është e nevojshme zhvendosja e tyre.
Projektligji i publikuar për konsultim publik, “për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për mbrojtjen e drufrutorëve”, lejon zhvendosjen e rrënjëve të ullirit nga zhvilluesi në bashkëpunim me pronarin e tokës, vetēm nē rastet ku ka leje ndërtimi tē miratuar nga organet përgjegjëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
Sipas draftit, në këto raste zhvendosja e rrënjëve të ullirit ndodh për shkak se toka ndryshon destinacionin për ndërtim, pas kalimit të gjithë fazave ligjore deri në miratimin e lejes së zhvillimit/ndërtimit.
Në këtë mënyrë ruhet numri i rrënjëve të ullirit pavarësisht dinamikave që ka planifikimi dhe zhvillimi i territorit. Kostot për zhvendosjen e rrënjëve të ullirit përballohen nga subjekti zhvillues/pronari.
Në dokument, argumentohet gjithashtu se duke njohur rëndësinë e koleksioneve të pemëve frutore, agrumeve, ullinjve dhe vreshtave, si dhe bimët e veçuara që kanë vlera gjenetike, lejohet zhvendosja vetëm në rastet ku ka leje objekte publike tē miratuar nga organet përgjegjëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Zhvendosja kryhet nga zhvilluesi në bashkëpunim me pronarin e tokës. Kostot e zhvendosjes përballohen nga buxheti i shtetit i alokuar për realizimin e projektit.
Drafti përcakton gjithashtu dhe ndalimet për zhvendosjen e rrënjëve të ullirit brenda zonave të mbrojtura që kanë regjim të veçantë mbrojtje.
Është mbajtur në konsideratë fakti se ulliri mbillet për prodhim, dekoracion, si dhe ka jetëgjatësi më të madhe se pemëtoret. Ndryshe nga pemët frutore, agrumet dhe vreshtat, që hyjnë në prodhim shumë shpejt dhe kanë një cikël prodhimi që shkon deri në 50 vjet në varësi të kulturës dhe llojit të kultivarit, ulliri hyn në prodhim më vonë dhe ka jetëgjatësi shekullore./Scan