Sa kot ky SPAK-u! Nuk arreston askënd në zyrë, është kot. Drejtësinë dhe prangat i bën me regji e pasi sjanë më në post apo i heq Rama dhe meret me ish zyrtarë opozite pa peshë.
Krahasimi shkoi deri te SPAK-u si një parti politike që po ndez motorët, pasi po afron 11 maji 2025 dita e zgjedhjeve.
SPAK i caktoi Doktor Berishës arrest shtëpie për afro 365 ditë. Beteja ligjore nuk ishte e lehtë dhe ende nuk ka përfunduar. Masa, nga burgosje brenda mureve të shtëpisë, u kthye në detyrim paraqitjeje.
Për opozitën, SPAK ishte i kotë dhe i dirigjuar.
SPAK kërkoi edhe arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta. Ekzekutimi i urdhrit të arrestit ndaj tij krijoi pamje të rënda dhe të shëmtuara, ku ish-kreu i shtetit, pak muaj pasi la postin u tërhoq zvarrë.
Sërish, opozita e cilësoi SPAK-un si të kotë dhe të dirigjuar.
Mazhjoranca, jo e gjitha, ka heshtur në masat ndaj Berishë e Metës.
Disa kanë fërkuar duart, të tjerë kanë marrë megafonin e medias duke thënë: “Bravo, SPAK!”
Më 9 shkurt 2025, SPAK u rikthye në terren me një masë që nuk ishte parë që nga 19 dhjetori 2019, kur kjo prokurori u krijua.
Një zyrtar i lartë publik, si Kryetari i Bashkisë së Tiranës, u arrestua në zyrë dhe përfundoi në qeli. Pas tij, në pranga, brenda katër mureve të shtëpisë, përfundoi edhe bashkëshortja e tij.
Ky rast, ai i familjes Veliaj-Xoxa, është rasti i parë kur SPAK, në arenën politike, arreston burrë e grua, edhe pse në mes është një fëmijë i mitur.
Kodi i proçedurës penale e ndalon taksativisht arrestimin e të dy prindërve nëse fëmija është nën tre vjeç. Por mbi këtë moshë, as Kodi i Proçedurës Penale dhe as ligji penal nuk kanë një parashikim.
Në botën e krimit apo në rastin e grupeve kriminale, një rast i ngjashëm ka ndodhur me familjen e ish-shoferit të kryepolicit Ardi Veliu, Sokol Idrizaj – burrë, grua dhe vajzat e tyre u prangosën.
Pas arrestimit të Veliajt, mazhoranca heshti.
Ndërkohë, opozita festoi dhe deklaroi se denoncimet dhe protestat e saj kishin dhënë rezultat.
Por, pse njëherë SPAK-u është “Kot” dhe njëherë “Plot”?!
Shumë mendojnë se SPAK-un e kontrollon Rama.
Ka nga ata në kolltukë që fantazojnë se Berisha ka ndikim mbi SPAK dhe ushtron presion.
Në fund të fundit, secili ka versionin e tij. Kjo është një e drejtë personale.
Por SPAK-u është një dhe i vetëm: Dje me Arben Krajën si drejtues themelues me 8 vartës. Sot me Altin Dumanin dhe 19 Prokurorët vartës. Dumani e ka shpallur publikisht se periudha e tij si drejtues dhe hetues në SPAK është misioni i tij.
A ka SPAK gabime? Po ka Plot.
A e ka tejkaluar ndonjëherë logjikën penale? Po. Arrestimi i një familjeje është haptazi i padrejtë dhe jo racional.
Qoftë edhe në rastin e Veliajt. Por kjo nuk e bën SPAK-un të pavlefshëm. As e bën të kotë!
Politika, kur përballet me drejtësinë, ka dy rrugë:
1. Ose humbet dhe kthehet në jetën private, duke shlyer mëkatet me kosto dhe privim lirie.
2. Ose rikthehet më e fortë, me pjekuri politike dhe njerëzore. Rikthimi nuk të rilind nga e para, por të jep atë që arriti Trump, kur 90% ishin skeptikë ndaj tij. E njëjta gjë ndodhi me Berishën: Ai u konsiderua kundërshtari i mundur, pa rrugëdalje, pa vulë dhe pa parti. Por sot, ai është rivali më i vështirë i mazhorancës.
E kam thënë disa herë: Erion Veliaj ka gabime dhe mëkate.
Por “burgosja familjare”nuk ishte as e duhura dhe as e merituara.
Ai ka avokat.
Ai ka të vërtetën e tij.
Ai ka radhën për të folur.
Ai ka një detyrim ndaj atyre që sot gëzohen me arrestimin e tij: T’u provojë pafajësinë.
Ndaj atyre që e shoqëruan deri te “Nesti Angoni”, t’u provojë se Nesti nuk është anonim.
Ndaj qytetarëve të Tiranës, ai duhet të tërhiqet dhe t’i japë qytetit mundësinë e sfidës.
A ka dikush që e bën më mirë? Bujrum, le ta marrë me votë Tiranën! Jo me emërim që nuk i vlen askujt.
Ndaj SPAK-ut, këtë herë, jo si “kolegu” i tij, Veliaj duhet të përdorë çdo provë dhe fakt për ta sfiduar, për të bindur shqiptarët se ai është pro reformës në drejtësi, asaj reforme që mori 140 vota.
E kushdo tjetër, pas Veliajt, që ka prangat në zyrat e shtetit dhe në mandatin politik, nesër mos të thotë më se SPAK-u është i kotë dhe i dirigjuar nga Ky dhe Ai.