Kompania ajrore VUELING i shtohet listës së kompanive ajrore partnere me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Vueling fillon fluturimet nga Barcelona drejt Tiranës në 1 Korrik 2025, ndërsa rezervimi i biletave ka filluar tashmë në faqen zyrtare të kompanisë.
Kjo linjë do të operojë me 4 fluturime në javë nga Barcelona në Tiranë nga 2 korriku deri më 24 tetor (e hënë, e mërkurë, e premte, e diel). Kjo është një mundësi e mirë për pasagjerët shqiptarë që zgjedhin Barcelonën si destinacionin e tyre turistik, por edhe për ata spanjollë që vizitojnë vendin tonë.
Vueling është kompania ajrore më e madhe në tregun spanjoll përsa i përket flotës së avionëve dhe numrit të destinacioneve. Pjesë e grupit IAG, (International Airline Group) ku bëjnë pjesë kompani si Iberia dhe British Airways, paraqet edhe një mundësi për lidhje të mëtejshme transoqeanike me Atlantikun Verior dhe Amerikën Latine.
Vueling mban vendin e parë në aeroportin e Barcelonës gjatë muajit janar 2025, me gati 10,000 fluturime dhe një nivel rekord të përpikmërisë në nisje prej 91.2%.
Për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, kjo është një arritje e rëndësishme, pasi forcon partneritetin me grupin IAG, shton numrin e linjave partnere si dhe rrit fluksin e fluturimeve direkte drejt qyteteve kryesore të Spanjës.
Piervittorio Farabbi, Administrator dhe Drejtor operacional i TIA-s u shpreh: “Mirëpresim Vueling në Shqipëri. Për ne do të thotë zgjerim më tej i lidhjeve tona direkte me Evropën dhe më shumë mundësi zgjedhjeje për pasagjerët tanë. Fillimi i operimit të Vueling në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës forcon më tej marrëdhëniet turistike dhe të biznesit mes dy vendeve”.

Sipas Jordi Pla, Drejtorit të Rrjetit dhe Strategjisë në Vueling, këto linja të reja jo vetëm që forcojnë bazën kryesore të kompanisë, por konsolidojnë angazhimin për të lidhur Barcelonën me destinacione unike ndërkombëtare. “Këtë verë – u shpreh ai -ne po vazhdojmë të rrisim kapacitetet tona duke shtuar më shumë se 1 milion ulëse për destinacionet kombëtare dhe ndërkombëtare.”
Kompania Vueling operon 149 destinacione në 48 vende të botës. Në rang evropian, Vueling është renditur si kompania e tretë më e përpiktë, me një normë përpikmërie prej 87.3% të fluturimeve të nisura pa vonesa.
Për më shumë informacion, vizitoni: www.vueling.com