Kosova shënon sot 17-vjetorin e pavarësisë së saj, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.
Qeveria e vendit mbajti një mbledhje festive, në të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu mirënjohje dhe nderime për “të gjithë ata që u sakrifikuan dhe u flijuan” për lirinë.
“Liria për të cilën kemi sakrifikuar kaq shumë, kërkon demokraci, e cila mundëson që të dëgjohet zëri i popullit dhe të mbrohen të drejtat e qytetarëve”, tha Kurti.
Sipas tij, Republika e Kosovës “sot është më e fortë dhe më vitale se kurrë më parë – jo vetëm se kemi investuar në siguri dhe në mbrojtje, por sepse kemi forcuar institucionet demokratike dhe kemi normalizuar funksionimin e tyre”.
“Ekonomia po rritet vit pas viti, shpejt e qëndrueshëm”, tha po ashtu Kurti.
Një sërë organizimesh, përfshirë edhe parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, priten gjatë ditës në Kosovë, për nder të 17-vjetorit të pavarësisë.
Kosova është e sapodalë nga një proces zgjedhor dhe është në pritje të formimit të institucioneve të reja.
Fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit doli Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit, por pa siguruar shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh për ta formuar qeverinë e vetme.
Një ditë më herët, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka pranuar një mesazh urimi për përvjetorin e pavarësisë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Aty thuhet se Trump e “përgëzon popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë” dhe vë në pah “qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces”.
“Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe me padurim presim që t’i zgjerojmë ato – veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime – me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona”, thuhet mes tjerash në letër./ REL