Çmimet e energjisë në Bashkimin Evropian, të cilat u rritën pas pushtimit rus të Ukrainës në fillim të vitit 2022, u stabilizuan pas një viti. Gjatë 2024, norma vjetore e inflacionit për çmimet e energjisë ishte lehtësisht negative në shumicën e muajve.
Faturat e energjisë luajnë një rol vendimtar në buxhetet e familjeve, me energjinë elektrike, gazin dhe lëndët djegëse të tjera që përbëjnë 5,5% të shpenzimeve totale të familjeve të BE-së. Indeksi i Çmimeve të Energjisë Familjare ofron të dhënat më të përditësuara mbi çmimet e energjisë elektrike dhe gazit për banesa në kryeqytetet e 33 vendeve evropiane.
Që nga 3 janari 2025, çmimet e energjisë elektrike varionin gjerësisht në të gjithë Evropën, duke filluar nga 9,1 cent për kilovat-orë (c€/kWh) në Budapest, deri në 40,4 c€/kWh në Berlin, ndërsa mesatarja e BE-së ishte 25,5 c€/kWh. Përveç Berlinit, qytetet më të shtrenjta për energjinë elektrike shtëpiake ishin Brukseli, Kopenhaga, Londra dhe Berna, të gjitha mbi 36 c€/kWh. Budapesti, i cili kishte çmimin më të ulët të energjisë elektrike, u pasua nga Kievi, Beogradi dhe Podgorica.
Çmimet e energjisë elektrike në kryeqytetet e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore priren të jenë më të ulëta se mesatarja e Bashkimit Evropian. Përjashtimi i vetëm ishte Praga (35.3 c€/kWh), që ishte i vetmi kryeqytet në rajon ku çmimet tejkalonin mesataren e bllokut.
Disa nga faktorët që sjellin diferenca të mëdha në treg janë prodhimi i energjisë nga burime të ndryshme, strategjitë e prokurimit dhe çmimet e furnizuesve, ndërsubvencionimi, tarifat dhe masat mbështetëse, shpjegojnë analistët. Për shembull, Berlini kryeson listën kryesisht për shkak të kostos së konsiderueshme të taksave të rrjetit. Nëse do të merrej parasysh vetëm komponenti i energjisë, Gjermania do të renditej e 10-ta në mesin e 33 tregjeve të analizuara, më poshtë se Italia, Britania e Madhe dhe Holanda.
Ndërsa çmimet e gazit për banesa variojnë nga 2,5 c€/kWh në Budapest, në 33,3 c€/kWh në Stokholm, një diferencë më shumë se trefishi. Kjo shpjegohet nga natyra e tregut suedez, ku nga 77,000 klientë të gazit në të gjithë vendin, 50,000 prej tyre bëjnë pjesë në rrjetin e izoluar të gazit në Stokholm./ Scan