Në Itali jetojnë të paktën 500 mijë shtetas shqiptarë, që janë një potencial i lartë për tregun ajror, së bashku me familjarët e tyre, bazuar në lejet e qëndrimit të dhëna nga Eurostat në vite.
Italia, vendi i historisë, ushqimit, kulturës është vetëm 1-1.5 orë me avion nga Rinasi (në varësi të qytetit), duke qenë i preferuar dhe për turizëm.
Edhe në vitin 2024, shteti përtej detit ka pasur trafikun më të madh ajror me Shqipërinë. Në 2024-n, sipas të dhënave nga Tirana International Airport (TIA), rreth 43% e pasagjerëve (ose 4.5 milionë) udhëtuan nga Rinasi drejt qyteteve italiane dhe anasjelltas.
Në krahasim me vitin e mëparshëm, fluksi i udhëtarëve është rritur me 43%. Nga Rinasi u fluturua në 24 qytete italiane në 2024-n (Bergamo, Romë, Bolonja, Trevizo, Piza, Milano, Bari, Katania, Verona, Torino, Xhenova, Ankona, Peruxhia, Peskara, Rimini, Napoli, Brindisi, Trieste, Rexho Kalabria, Komiso, Lamezia Terme, Salerno, Venecia, Firence).
Në vend të dytë ka mbetur Gjermania, me 10.6% të lëvizjeve. Nga dhe drejt qyteteve të Gjermanisë, që vitet e fundit është kthyer në destinacion punësimi për shqiptarët kanë udhëtuar 1.17 milionë pasagjerë, ose 23% më shumë se viti i mëparshëm.
Nga Rinasi fluturohet në 13 destinacione në Gjermani. Qyteti me fluksin më të madh të udhëtimeve mbetet Frankfurti, i ndjekur nga Dortmundi, Memmingen, Berlini, Hamburgu.
Mbretëria e Bashkuar (MB), sidomos Londra, është destinacioni me rritjen më të shpejtë vitet e fundit, e ndikuar nga hyrja e operatorëve me kosto të ulët, fillimisht “Wizz Air”.
Hyrja e “Ryanair” në vitin 2024 ka bërë që udhëtimet nga dhe drejt Mbretërisë së Bashkuar të rriten me gati 62%, në gati 1 milion pasagjerë, duke zënë 9% të tregut. Londra tërhoqi 83% të udhëtarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Turqia ka vijuar të ruajë vendin e katërt, me 5.2% të udhëtimeve dhe rritje me 35% me bazë vjetore, me Stambollin që zë peshën kryesore (72%). Destinacioni tjetër i preferuar për pushime është Antalia, me rreth 100 mijë pasagjerë.
Polonia renditet në vendin e pestë, e ndikuar nga interesi i lartë që kanë pasur shtetasit e këtij vendi për të kaluar pushimet në Shqipëri. Nga dhe drejt qyteteve të Polonisë kanë udhëtuar 520 mijë shtetas, me rritje 57% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Nga Rinasi është fluturuar në tetë destinacione polake, Varshavë, Krakov, Katovicë, Vroclavë, Poznan, Gdañsk, Zheshov, Shiman, Zjelona. Varshava mbetet destinacioni kryesor me 40% të totalit, e ndjekur nga Krakovi, me 20%.
Franca është një tjetër destinacion që ka parë rritje të fortë të udhëtimeve, me 490 mijë pasagjerë, më se dyfishim në krahasim me vitin 2023, e ndikuar dhe nga hyrja e “Ryanair” në këtë linjë. Parisi mban rekordin me 70% të trafikut me Francën.
Të gjithë në Milano (Bergamo) e Londër
Milano, që është e arritshme nëpërmjet dy aeroporteve (Malpensa dhe Bergamo) është destinacioni më i preferuar për fluturimet nga dhe drejt Rinasit. Në 2024, përmes këtyre aeroporteve, fluturuan një numër rekord prej 1.07 milionë pasagjerësh, me rritje 45% me bazë vjetore.
Rritja është ndikuar nga Aeroporti i Bergamos, përmes të cilit udhëtuan gati 700 mijë pasagjerë në 2024.
Hyrja në këtë linjë e “Ryanair” ka shtuar alternativat e zgjedhjes për ata që shkojnë apo vijnë nga Milano.
Nuk janë më vetëm emigrantët, të afërmit e tyre apo të tjerë vendas që udhëtojnë drejt Milanos, apo qyteteve të tjera italiane.
Të dhënat e Ministrisë së Turizmit bënë të ditur se shtetasit italianë ishin të dytët për nga hyrjet në vend, pas atyre të Kosovës, me rreth 11% të totalit, ose mbi 1.25 milionë në 2024.
Londra mban vendin e dytë midis destinacioneve kryesore nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, me 8% të udhëtimeve totale. Gati 840 mijë udhëtarë shkuan apo erdhën në Mbretërinë e Bashkuar, me rritje 44% nga një vit më parë.
Janë disa shoqëri ajrore që operojnë me aeroportet e Londrës, duke e bërë këtë destinacion, që po tërheq shumë emigrantë vitet e fundit, të arritshëm me kosto të lirë. Sërish, hyrja e “Ryanair” ka ndikuar në shtimin e trafikut të pasagjerëve.
Bolonja ka kaluar në vend të katërt, duke i zënë vendin Pizës, me 476 mijë pasagjerë.
Treviso është një tjetër qytet italian që ka arritur të ketë 440 mijë pasagjerë në 2024-n.
Piza ka zbritur në vend të gjashtë, me 426 mijë pasagjerë.
Nga dhe drejt Stambollit kishte 408 mijë pasagjerë, ose gati 27% më shumë se një vit më parë.
Edhe Vjena ka regjistruar rritje të fortë të trafikut, me 64%, në gati 400 mijë pasagjerë. Krahas Austrian Airlines, hyrja e “Wizz Air” dhe më pas “Ryanair”, me çmime më ekonomike e ka bërë Vjenën një qytet të preferuar për turistët nga Shqipëria./Monitor