Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, në mbledhjen e radhës ka diskutuar mbi problematikat e hasura gjatë zbatimit të reformës në drejtësi.
Në fokus të mbledhjes ishin gjithashtu vështirësitë në fushat penale, civile dhe administrative, si dhe çështjet e infrastrukturës së sistemit gjyqësor.
Në përfundim të diskutimeve, Këshilli ka nxjerrë disa konkluzione konkrete për përmirësimin e situatës, të cilat do t’i paraqiten Kuvendit të Shqipërisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Prokurorisë dhe Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë.
Një tjetër çështje e rëndësishme që u trajtua ishte evidentimi i mangësive në mbrojtjen e procesit të hetimeve gjyqësore, ku u theksua se Gjykatat e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë evidentuar shkelje të shumta, ndërsa Inspektorati i Lartë i Drejtësisë është kritikuar për rolin e tij inaktiv.
Njoftimi i plotë:
Ditën e premte u mblodh Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë.
Nisur nga situata në sistemin gjyqësor, ky Këshill, mori në shqyrtim problematikën e shkaktuar gjatë zbatimit në praktikën gjyqësore të reformës në drejtësi në të gjitha fushat penale, civile dhe administrative, si dhe ato të infrastrukturës së sistemit, duke dalë me konkluzione konkrete për përmirësime, të cilat do t’i bëhen prezente Kuvendit të Shqipërisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë, si dhe Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.
Gjithashtu, një vend parësor në rend të dites ishte edhe evidentimi i keqtrajtimit të veprimtarisë dhe rolit të mbrojtjes në proceset hetimore dhe gjyqësore, ku më evidentet ishin ato të konstatuara në dy Gjykatat e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Në morinë e shkeljeve të konstatuara dhe të bëra prezente, u evidentua roli inaktiv i Ispektorit të Lartë të Drejtësisë.
Në përmbyllje, Këshilli hartoi një sërë propozimesh për ndërhyrje në kuadrin ligjor të sistemit në fusha të ndryshme, duke përsëritur kërkesën për rishikimin e hartës gjyqësore.
Këshilli, pas kontakteve me institucionet përkatëse, do të ndjekë në dinamikë dhe me përgjegjësi reagimin e tyre, për të riparë qëndrimin e Dhomës në ditët në vazhdim.

Për Dhomën e Avokatisë të Shqipërisë
KryetariProf Dr. Maksim HAXHIA