Tregjet në Shqipëri janë të tejmbushura me mallra “fake”, që mbajnë emra e logo të njohura ndërkombëtare dhe shiten me çmime te lira por herë pas here edhe me çmime të kripura duke mashtruar konsumatorët.
Pra qytetarë shqiptarë dhe turistë të huaj mund të bien lehtësisht pre e mashtrimeve duke menduar se blejnë një markë, por në fakt blejnë një mall me cilësi të dobët, nga një tregtar që ka dëmtuar të drejtat e pronësisë mbi kompaninë mëmë.
Por kjo situatë duket se nuk do të vazhdojë për shumë gjatë. Qeveria ka iniciuar disa ndryshime ligjore që synojnë ti japin më shumë mbrojtje bizneseve të huaja dhe shqiptare që kanë të regjistruar markën, gjithashtu edhe konsumatorëve.
Drafti parashikon të drejtën e pronarëve të markave që cenohen nga veprime shkelëse të ngrenë padi, të paraqesin prova dhe t’i sigurojnë këto, të kërkojnë marrjen e masave të përkohshme për parandalimin e një shkeljeje, nxjerrjen jashtë qarkullimit, konfiskimin dhe vënien nën kontroll të mallrave që dyshohet se shkelin të drejtat e markave të regjistruara më parë.
Nga ana tjetër parashikohen gjoba të kripura dhe dënime penale për abuzuesit.
Ndërkohë, ndërgjegjësimi për të “siguruar” emrin ndaj çdo imitimi apo vjedhjeje është rritur ndjeshëm edhe tek bizneset shqiptare.
Në vitin 2024, Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, janë depozituar 1575 aplikime për regjistrim marke.
Një shifër kjo, më e larta të paktën në 4 vitet e fundit dhe me rritje prej 16.8 % krahasuar me një vit më parë./ Scan