Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani ishte i pranishëm në tryezën e drejtësisë të organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjen.
Në fjalën e mbajtur, Dumani theksoi se lufta kundër korrupsionit mbetet ende një sfidë, teksa kërkoi bashkëpunim nga të gjithë.
Fjala e plotë e Altin Dumanit:
“Referuar edhe materialit, konstatohet progres edhe nga SPAK. Ka treguar se është në gjendje në respektim të ligjit dhe kushtetutës të kryejë hetime të plota dhe tregojnë se pandëshkueshmëria po goditet dhe epoka e paprekshmërisë po lëkundet. Epokës së pandëshkueshmërisë po i vjen fundi.
Po kështu goditja e grupeve kriminale, trafiqeve të drogës dhe krimeve të tjera. Si dhe besimi i partnerëve ndaj SPAK, me mbështetjen e anëtarëve të BE-së, Britaninë, Zvicrën, bashkëpunimi me këto vende është rritur. Edhe në këtë takim ka prani të oficerëve ndërlidhës të këtyre shteteve, i falënderoj për marrëdhëniet konstruktive, bashkëpunimin dhe vijimin.
Marrëdhëniet me Interpol, Europol e Eurojust është forcuar, në goditjen e krimit të organizuar.
Po kështu goditja e krimit dhe korrupsioneve të zyrtarëve, sekuestrimi i aseteve financiare e të paluajtshme, përfshi edhe kriptovalutat, që i përdorin për blerje të ndryshme, si të kokainës edhe në pastrimin e parave.
Mesazhi është i qartë se krimi nuk mund të blejë dhe as shpërblejë. Kemi rritje të ndjeshme edhe të procedimit të veprës penale të pastrimit të parave. Lufta ndaj korrupsionit ndodhet në fazë të re. Besimi te reforma në drejtësi po rritet, qytetarët janë të ndërgjegjshëm se të gjithë vijnë pas ligjit, sfidat vazhdojnë. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit kërkon bashkëpunim ndërinstitucional. Duhet të keni besim te integriteti i prokurorëve të SPAK, proceseve. Ndikimi i jashtëm nuk do ndikojë në misionin dhe hetimet tona ndaj këtyre proceseve.
E gjej këtë material shumë të dobishëm për institucionin tonë. Statistikat janë problematikë e trashëguar ndër vite, por nga muaji janar po aplikohet sistemi i menaxhimit të çështjeve, me statistika të plota, të qarta, që na ndihmojnë neve dhe të tjerët. Themi se e kemi hedhur një hap përpara, që të kemi statistika të qarta”.