Pavarësisht se Tirana ka numrin më të madh të pasurive të konfiskuara, pronat luksoze të përfituara në mënyrë të paligjshme nga grupet kriminale janë të shumta edhe në bregdet. Sipas Agjencisë së Administrimit të Pronave të Konfiskuara dhe Sekuestruara, nga 265 pasuri të konfiskuara gjithsej në Shqipëri, rreth 111 kanë qenë në qytetet bregdetare. Nga katalogu i publikuar prej kësaj Agjencie, 34 pasuri rezultojnë të konfiskuara në Durrës, 45 në Vlorë, 24 në Sarandë dhe 8 në Shëngjin.
Por, cilat janë llojet e këtyre pasurive?
Shumica prej pronave të konfiskuara rezultojnë apartamente në buzë të detit dhe njësi biznesi, por nuk mungojnë as hotelet. Konkretisht, në Vlorë rezultojnë të jenë konfiksuar 2 garazhe, 3 njësi, 5 kullota, 20 apartamente, 6 pasuri të llojit truall dhe ndërtesë bashkë, 1 tokë arë, 5 ndërtesa dhe 3 hotele.
Në Sarandë janë konfiskuar 2 pasuri të llojit truall, 19 apartamente, 3 hotele shoqëruar me truall. Ndërsa në qytetin e Durrësit u konfiskuan 11 biznese, 1 bodrum, 5 apartamente, 1 hotel, 4 pasuri të llojit truall, 1 njësi e përbërë, 4 pasuri të llojit truall plus ndërtesë, 1 ranishte plus tokë arë, 1 arë, 1 tokë truall dhe 4 kullota. Ndërkohë, gati të gjitha pasuritë e konfiskuara në Shëngjin janë toka afër bregdetit.
Pasuritë e gjeneruara nga krimi i organizuar, apo korrupsioni, që konfiskohen nga shteti, mund të nxirren në shitje, jepen me qira ose për ripërdorim social. Në rastet e dhënies me qira të pasurive të sekuestruara, kryeadministratori ngre komisionin për vlerësimin e çmimit të tregut. Nëse është e pamundur dhënia me qira me çmimin e tregut, me propozimin e administratorit të pasurisë së sekuestruar, çmimi i qirasë mund të negociohet nga kryeadministratori. Nga ana tjetër, shitja e pasurisë së sekuestruar kryhet me ankand nga Agjencia dhe të ardhurat depozitohen në llogarinë e Agjencisë.
Me këto pasuri, apo të ardhurat që përfitohen prej tyre, mund të sigurohet mbështetja e familjeve të efektivëve të rënë në detyrë, financimi për drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorinë, rehabilitimi dhe fuqizimi social i viktimave të trafikimit, përdorimi i aseteve të konfiskuara në shërbim të komunitetit, e të tjera. Një numër i konsiderueshëm ndërtesash apo ambientesh të konfiskuara, janë vënë në shërbim të publikut. Madje dhe vetë Agjencia e Administrimit të Pronave të Konfiskuara dhe Sekuestruara punon sot në zyra të konfiskuara.
Megjithatë, interesi për marrjen e këtyre pronave në përdorim nga qytetarët apo bizneset vijon të jetë i ulët, kjo pasi shihen me një potenical rreziku, për shkak të zotërimit të tyre më parë nga grupet e krimit./ Scan