Tre persona janë arrestuar si të përfshirë në skandalin e mandarinave me pesticide të dëmshme.
WebLajm.com zbardh si u realizua shitja e 10 ton manderinave për të cilat Kroacia tha janë të dëmshme dhe i ktheu në doganë. Por në vend të groposjes 3 personat e arrestuar i rishitën në Berat e jo vetëm.
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, pas hetimeve disa mujore të kryera në kuadër të Procedimit Penal nr. 768 të vitit 2024, ka regjistruar për veprat penale:
- “Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”
- “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”
- “Mashtrimi me produktet ushqimore”
- “Shpërdorimi i detyrës”
këto veprime janë parashikuar nga nenet 281, 288, 288/c dhe 248 të Kodit Penal. Si rezultat i hetimeve, janë ndaluar shtetasit:
- Arben Dyli, lindur në vitin 1969
- Elton Tafa, lindur në vitin 1979
- Elson Tahiraj, lindur në vitin 1995
Ndalimi i këtyre shtetasve u bë pasi nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se shtetasi Elton Tafa, me profesion fermer, ka shitur shtetasit Arben Dyli (administrator i pikës së grumbullimit) një sasi prej rreth 10 tonësh mandarina, të cilat më pas, subjekti i shtetasit Arben Dyli i ka eksportuar drejt Kroacisë.
Nga autoritetet kroate janë kryer analizat e nevojshme, nga ku ka rezultuar se sasia e mandarinave kishte përmbajtje të lartë të pesticidit “Fosmet”, një pesticid i dëmshëm për shëndetin dhe i ndaluar për tu përdorur. Në këto kushte, ngarkesa e mandarinave është kthyer mbrapa në vendin e origjinës, ku rezulton se është tërhequr nga shtetasi Arben Dyli dhe më pas dyshohet se është hedhur sërish në treg, duke mos e asgjësuar sipas procedurës përkatëse.
Gjithashtu, dyshohet se shtetasi Elson Tahiraj, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimeve, ka shpërdoruar detyrën duke lëshuar certifikata fitosanitare fiktive për subjekte të ndryshme, ndër to edhe për subjektin e shtetasit Arben Dyli.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat për veprime të mëtejshme hetimore.
Lexo më shumë
👇